RTSH 24 Live

Aktualitet

“Tatimi mbi të ardhurat”, Klosi: Të shtyhet deri në vitin 2026 afati për hotelet me 4-5 yje

3 orë para

“Tatimi mbi të ardhurat”, Klosi: Të shtyhet deri në vitin 2026 afati për hotelet me 4-5 yje

Komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e kësaj të hëne (22 janar), ka marrë në shqyrtim nismën e deputetit socialist Blendi Klosi lidhur me një ndryshim në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Në fjalën e tij, Klosi deklaroi se aktualisht në Shqipëri janë 22 brande në industrinë e turizmit, dhe ky numër sipas tij, duhet të vijojë të rritet.

Klosi kërkoi përmes ndryshimit të propozuar, shtimin me 2 vite të afatit të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat të strukturave që kanë përfituar statusin special.

Po ashtu, një tjetër pikë në ndryshimin e propozuar në këtë pr.ligj, ka të bëjë me lënien e një afati 3-vjeçar nga marrja e statusit deri në fillimin e investimit, pasi sikurse sqaroi deputeti, projekte të tilla kërkojë periudha të gjata kohore.

Kemi 11 brande të regjistruara në vendin tonë me këtë kapacitet. Kemi rreth 11 të tjerë që janë futur në industrinë e turizmit shqiptar. Kemi rreth 22 brande nga më të pëlqyerit në industrinë e turizmit.

Këto hotele me 4-5 yje, kanë sjellë në paraqitjen e tyre për investim rreth 450 milionë euro, 100 mln prej të cilave janë aktive tashmë. Pr.ligji që paraqis është një nen, “entitetet që operojnë në strukturat akomoduese në hotelet me 4-5 yje, status special, që janë mbartës të një marke të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat koorporative për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura që përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026.

Kërkohet 2 vite shtim afati nga momenti që jemi deri në 2026 dhe lënia e një hapësire për 3 vjet, dhe ka diskutim me qeverinë për ta bërë këtë afat në 5 vjet, nga marrja e statusit për fillimin e investimit, pasi praktika është e tillë që projekte të tilla, që shkojnë në dakordësi me brande rigoroze, merr një periudhë jo të vogël kohe”, deklaroi Klosi.

 /rtsh.al/