RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet e 11 majit, KQZ miraton vendimin për ndarjen e mandateve në 12 qarqe

2 orë para

Zgjedhjet e 11 majit, KQZ miraton vendimin për ndarjen e mandateve në 12 qarqe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të mërkurën (22 janar) shpërndarjen e mandateve për parlamentaret e 11 majit.

Çdo subjekt zgjedhor në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit do të ketë 46 emra për të zgjedhur si kandidatë për deputetë në listën e mbyllur për 12 qarqe të Shqipërisë dhe 140 kandidatë të tjerë do të garojnë me listë të hapur.

"Parashikohet që emrat në listën shumëemërore me renditje të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor rreshtohen sipas rendit shifror, duke filluar nga numri 1. Për koalicionet, përbri mbiemrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën me renditje të fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore pjesëtuar për tre," tha zyrtarja e KQZ-së.

Sipas formulës së re të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e 11 majit, partitë apo koalicionet pjesëmarrëse në garë duhet të paraqitin 186 kandidatë, nga të cilët vetëm 140 do të ulen në karrigen e ligjvënësit.

Në projektvendimin e KQZ-së "për caktimin e numrit të kandidatëve për deputetë në listat shumemërore të paraqitura nga subjektet zgjedhore" dhe sipas Kodit Zgjedhor, mandati për çdo parti garuese do i kalojë fillimisht atyre që janë renditur të parët në listën e mbyllur apo të fiksuar.

Nëse partia/koalicioni fiton mandate më shumë sesa ka lista e mbyllur, atëherë mandati i radhës do i takojë individëve më të votuar nga lista e hapur. Kështu, lista e hapur do të jetë pa prag.

Në emrat për kandidatë do të respektohet edhe kuota gjinore.

Në tabelën e përllogaritur nga KQZ-ja sipas qarqeve, për shembull në Berat, për çdo subjekt fitues, nga 7 mandate gjithsej në listën shumemërore, 2 kandidatët e parë do të zgjidhen nga lista e fiksuar (mbyllur) dhe 5 nga lista e hapur.

  • Dibra, 5 mandate gjithsej - 2 nga lista e fiksuar, 3 nga lista e hapur;
  • Durrësi, 14 mandate gjithsej dhe 5 me renditje të fiksuar;
  • Elbasani, 14 mandate gjithsej dhe 5 me renditje të fiksuar;
  • Fieri, 16 mandate gjithsej dhe 5 me renditje të fiksuar;
  • Gjirokastra, 4 mandate gjithsej dhe 1 me renditje të fiksuar;
  • Korça, 10 mandate gjithsej dhe 3 me renditje të fiksuar;
  • Kukësi, 3 mandate gjithsej dhe 1 me renditje të fiksuar;
  • Shkodra, 11 mandate gjithsej dhe 4 me renditje të fiksuar;
  • Vlora, 12 mandate gjithsej dhe 4 me renditje të fiksuar; 
  • Tirana, 37 mandate gjithsej dhe 12 fituesit e parë nga lista e mbyllur.

Gazetare: Melisa Shameti

/rtsh.al/