Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në sesionin "Mënyra se si do të udhëtojmë" në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku ka theksuar përpjekjet e Shqipërisë për të zhvilluar turizmin dhe ruajtur mjedisin. Rama ka nënvizuar se Shqipëria po përballet me sfidën e balancimit të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës, duke investuar në projekte të qëndrueshme dhe infrastruktura moderne.
Ai ka përmendur rritjen e numrit të turistëve në vend, duke arritur në 12 milionë vitin e kaluar, ndërkohë që ka theksuar përmirësimin e sektorit të turizmit dhe rritjen e kapacitetit të aeroporteve, që ka tejkaluar edhe atë të Beogradit. Rama ka theksuar rëndësinë e investimeve në arkitekturë dhe krijimin e projekteve unike që nuk shihen në rajon, në mënyrë që Shqipëria të përthith edhe më shumë kuriozitetin e turistëve.
“Po përballemi me sfidën që të ruajmë ekuilibrin dhe të përpiqemi të mos humbim atë që na duhet të ruajmë duke ndërtuar atë për të cilën kemi nevojë. Shqipëria ka bukuri të mrekullueshme dhe larmi të pabesueshme dhe na duhet që të kemi shumë investime dhe si ta ekuilibrosh këtë? Ky është problem i madh, po përpiqemi të bëjmë maksimumin duke rritur nga njëra anë masën e zonave të mbrojtura dhe duke krijuar më shumë mjete për të transformuar, atë që është e mbrojtur, në burim zhvillimi dhe nga ana tjetër të kemi projekte me cilësi të ndryshme nga ato që kemi parë në rajon. Shqipëria gjatë 2-3 viteve të fundit ka rritjen më të madhe në aeroport. Kemi tejkaluar dhe atë të Beogradit që ka qenë më i rëndësishmi rajonal. Vitin e kaluar e mbyllëm me thuajse 12 mln turistë në një vend që ka 2.8 mln banorë. Po angazhohemi me arkitekte nga mbarë bota dhe po u japim jetë produkteve arkitekturore që nuk i gjen në rajonin tonë, të gjithë duhet të gjejnë një kënd të tyre”, tha Rama.
Duke folur për disa nga vendet elitë të turizmit, Rama tha se Europa është e bekuar në këtë drejtim, por se duhet të luftojë burokracitë.
“Europa është e bekuar , shih Greqinë, Italinë, Francën , kudo është bekuar nga një e kaluar e lavdishme. Problemi i Evropës sot është që të shkurtojë burokracinë dhe ta bëjë kontinentin më fleksibël”, tha Rama.
/rtsh.al/