RTSH 24 Live

Ekonomi

Ekonomia në 2025- Ministri i Financave, Malaj: Parashikojmë një rritje ekonomike rreth 4%

3 orë para

Ekonomia në 2025- Ministri i Financave, Malaj: Parashikojmë një rritje ekonomike rreth 4%

Qeveria parashikon një rritje ekonomike prej 4% në vitin 2025. Deklarata u bë nga ministri i Financave Petrit Malaj, në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku u diskutua Akti Normativ i qeverisë i miratuar në dhjetor 2024, nëpërmjet të cilit u bë shpërndarja e paketës së shpërblimeve për pensionistët dhe njerëzit në nevojë.

Malaj tha se perspektiva për të ardhmen mbetet optimiste.

“Si për vitin 2024 që lamë pas, ashtu edhe për periudhën afatmesme, parashikojmë një rritje ekonomike rreth nivelit 4%.”, tha Malaj.  

Sipas tij, edhe viti 2024 shënoi një konsolidim të mëtejshëm të themeleve ekonomike të vendit tonë.

“Të dhënat tregojnë një rritje ekonomike prej 4% për 9-mujorin, me një dinamikë përshpejtuese nga tremujori në tremujor. Ky zgjerim ekonomik është gjithëpërfshirës, i udhëhequr nga dinamizmi i sektorit të shërbimeve, aktiviteti i shtuar në ndërtim dhe një bazë e shëndetshme e konsumit privat. Klima e biznesit, e reflektuar në treguesit e besimit ekonomik, vazhdon të qëndrojë mbi nivelet mesatare historike”, tha Malaj.

Sipas tij, inflacioni mesatar për 2024 zbriti në 2,2%, një përmirësim i dukshëm nga 4,8% që ishte në 2023.

Malaj theksoi se është inkurajues fakti që ky nivel inflacioni ka qenë përgjatë gjithë periudhës së goditjes globale të çmimeve (veçanërisht gjatë 2022) dhe vijon të qëndrojë më i ulët se ai i vendeve të rajonit dhe mesatarja e Bashkimit Evropian.

“Kjo dinamikë pozitive është mbështetur edhe nga forcimi i mëtejshëm i lekut, i cili reflekton pikërisht zhvillimet pozitive të ekonomisë sonë në tërësi, dhe në vecanti përmirësimin e fortë të pozicionit të saj të jashtëm”, tha kreu i financave publike.

Akti Normativ

Në mbledhjen e komisionit ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se nëpërmjet rishikimit të fundit të buxhetit për vitin 2024, që u miratua nga qeveria më 19 dhjetor në formën e një Akti Normativ, u sigurua mbështetja për shtresat më vulnerabël të shoqërisë, nëpërmjet shpërndarjes së një pakete shpërblimesh të fundvitit me një kosto rreth 2,2 miliardë lekë.

Paralelisht, sipas tij, u krijua edhe një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë për mbështetjen e pensionistëve me një transfertë fillestare prej rreth 6,3 miliardë lekë.

Malaj tha se ky rishikim i buxhetit 2024 materializoi gjithashtu edhe rialokimin e shpenzimeve buxhetore drejt atyre me ecuri më të lartë, duke realizuar në masë të konsiderueshme pagesën e detyrimeve.

“Përmes tij sigurojmë ruajtjen të pandryshuar të nivelit të planifikuar të deficitit buxhetor në vlerën 57,28 miliardë lekë. Ruajtjen të pandryshuar të nivelit të të ardhurave të përgjithshme, bazuar në performancën e vjeljes së tyre referuar planit vjetor në fuqi, duke reflektuar vetëm disa rregullime mes nënzërave që konsistojnë në ndryshimin e te ardhurave vendore, të të ardhurave jotatimore dhe grantet e projekteve, bazuar në performancën e shënuar gjatë periudhës janar-nëntor 2024. Rishpërndarjen e rreth 50 miliardë lekë mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korente e kapitale, me synimin e realizimit sa më të plotë të shpenzimeve publike për vitin 2024”, deklaroi Malaj.

Ecuria e ekonomisë

Ministri Malaj, paralelisht, ka bërë edhe një panoramë të përmbledhur të ecurisë së ekonomisë dhe perspektivës së saj, si bazë për diskutimin e ndryshimeve buxhetore që janë propozuar.

Sipas tij, edhe investimet e huaja direkte vijojnë trendin pozitiv, me një rritje prej 8,1% në gjysmën e parë të 2024 dhe po ashtu me rritje pozitive edhe në tremujorin e tretë, duke arritur në mbi 1 miliard euro si 9-mujor 2024.

Malaj informoi se edhe pozicioni valutor është forcuar ndjeshëm, dhe se me rezerva valutore ka arritur në mbi 6 miliardë euro.

Politikat e ndjekura, theksoi ai, kanë marrë së fundmi vlerësim në rritje të perspektivës nga dy agjencitë vlerësuese prestigjoze, respektivisht “Moody’s” dhe “Standard & Poor’s”.

“Moody’s” në tetor 2024 përmirësoi vlerësimin për Shqipërinë nga “B1” në “Ba3”, ndërsa “Standard and Poor’s” e rriti atë nga “B+”, në “BB-. Një arritje kjo shumë e rëndësishme, që reflekton besimin në rritje të komunitetit financiar ndërkombëtar ndaj ekonomisë sonë në tërësi dhe menaxhimit të financave publike në veçanti”, deklaroi ministri.

Pikat kryesore të raportimit

Shpenzimeve Publike

Mbështetjen financiare të disa kategorive më vulnerabël në masën 15.000 lekë për përfituesit e kategorive sociale në Ndihmë Ekonomike dhe Aftësi të Kufizuar, me një efekt financiar prej 2.2 miliardë lekë;
Krijimin e Llogarisë së Mbështetjes për Pensionistët në Bankën e Shqipërisë, në të cilën transferohen përmes këtij akti normativ rreth 6.3 miliardë lekë, me qëllim sigurimin e implementimit të politikës së mbështetjes së pensioneve për vitin 2025;
Shtesën e fondeve në masën 1.6 mld lekë për Ministrinë e Brendshme, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të Policisë së Shtetit për kompensimin ushqimor, orë jashtëorarit/dieta/karburant në kuadër të sezonit intensiv turistik, krahas shlyerjes së detyrimeve nga vendimet gjyqësore;
Financimin shtesë për Skemën e Fermerëve në masën 1.4 mld lekë, me qëllim mbulimin e të gjithë kërkesave të aplikantëve që plotësojnë kriteret e përfitimit për masat mbështetëse për vitin 2024;
Shtesën e fondeve për AKSHI-n në masën 2.6mld lekë, me qëllim shlyerjen e detyrimeve në kuadër të kontratave për mirëmbajtjen e sistemeve IT të Qeverisë dhe pagesës së shërbimit nga Microsoft;
Shtesën e fondeve në masën 1.1 mld lekë për Ministrinë e Mbrojtjes, me qëllim mbulimin e detyrimeve financiare ndaj NATO dhe misioneve ushtarake jashtë vendit;
Shtesën e fondeve në masën 1.3 mld lekë për MIE, për financimin e detyrimeve të kontratave të mirëmbajtjes rrugore, krahas vendimeve gjyqësore të shpronësimeve;
Financimin shtesë prej 300 mln lekë, përkatësisht për:
Në masën 100 mln lekë, me qëllim organizimin e tre tureve të para të ‘Giro d’Italia’ në Republikën e Shqipërisë.
Në masën 200 mln lekë, me qëllim vijimin e financimit të projektit të KOKSH “Ekipet Sportive në Shkolla” dhe aktiviteteve në kuadër të ndërkombëtarizimit të sporteve.
Akomodimin e pjesës së mbetur në masën rreth 520 mln lekë, me qëllim pagesën e diferencës së pagës së magjistratëve në zbatim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.35 datë 22.11.2022;
Akordimin e një fondi në masën 2 mld lekë për shoqërinë AlbControl sh.a, si huadhënie në formën e transfertës përmes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim garantimin e veprimtarisë normale të këtij institucioni të rëndësisë së veçantë;
Financimin shtesë në masën rreth 1.57 mld lekë për dy projektet e Agjencisë Kombëtare të Kadastrës, me qëllim financimin për dy projektet “Digjitalizimi i të dhënave kadastrale të pasurive të paluajtshme” dhe “Regjistrimi fillestar i zonave kadastrale”.

Shpenzimet Kapitale

Në terma të akomodimeve përmes këtij Akti Normativ, ato konsistojnë kryesisht në:
Financimin shtesë për MIE në masën rreth 3.6 miliardë lekë, me qëllim përballimin e nevojave për projektet me financim të brendshëm të cilat kanë patur ecuri të mirë fizike gjatë vitit 2024, kryesisht projektet e Unazës së Madhe të Tiranës, Lotet e Rrugës Elbasan – Qafë Thanë, etj.
Financimin shtesë në masën 240 mln lekë për MEPJ, me qëllim blerjen e godinës së Ambasadës së RSH në Bruksel.

Financat vendore

Rritja me 2.2 miliardë lekë e të ardhurave të NJVQV, bazuar në performancën pozitive të mbledhjes së të ardhurave përgjatë muajve janar – dhjetor 2024. Plani vjetor i rishikuar i të ardhurave tatimore të pushtetit vendor është propozuar në shumën 39.3 miliardë lekë nga 37.1 miliardë lekë i miratuar me Aktin Normativ të muajit gusht 2024. Kjo, bazuar në tejkalimin faktik të periudhës 11 mujore, që mundësoi në këtë Akt Normativ:
Rritjen e planit të ‘Taksave lokale’ me 1.7 miliardë lekë;
Rritjen e planit të ‘Taksës mbi pasurinë” me 500 milionë lekë.
Rritja me rreth 1.6 mld lekë e transfertës buxhetore të Pushtetit Vendor, me qëllim mbështetjen e bashkive për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve.

Në lidhje me deficitin dhe borxhin

Deficiti buxhetor, si rrjedhojë e ndryshimeve të mësipërme në të ardhura dhe shpenzime, mbetet i njëjtë sipas atij të miratuar me anë të AN nr.3 datë 28.8.2024.
Borxhi publik për buxhetin 2024, rishikohet duke reflektuar ndryshimet si vijon:
• Zëri i huave të huaja afatgjatë ulet me 8.34 mld lekë, duke reflektuar ndryshimet e propozuara sa i takon projekteve me financim të huaj kredi.
• Shpenzimet e parashikuara për interesat gjatë vitit 2024 vlerësohen me një kursim prej 4 miliardë lekë, kryesisht si rezultat i efektit te kursit të këmbimit.
Sa i takon pritshmërive, sipas vlerësimeve dhe parashikimeve më të fundit ai pritet të jetë në nivelin prej rreth 1 377 miliardë lekë në fund të vitit 2024 ose rreth 55% e PBB në terma relativë. Ky vlerësim i pritshëm reflekton të gjitha statistikat dhe projeksionet më të fundit, të lëvizjeve rrjedhëse (floës) të huamarrjeve neto të pritshme për këtë vit apo edhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në stokun total të borxhit.
Huamarrja e brendshme vijon të mbetet e njëjtë si në planin fillestar të projektbuxhetit në nivelin prej 50 miliardë lekë. Zëri i financimit të huaj, konkretisht ai i huave afatgjata ulet me rreth 8 mld lekë, duke reflektuar ndryshimet e propozuara në këtë akt normativ sa i takon projekteve me financim të huaj me kredi.
Në terma afatmesëm, niveli i borxhit në raport me PBB do vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, ku konkretisht gjatë vitit 2024 niveli i borxhit pritet të ulet me rreth 2.3 pikë përqindje (nga 57.5% në 55.2%), gjatë vitit 2025 pritet të ulet me 0.4 pikë përqindje (në 54.8%) dhe gjatë vitit 2026 pritet të ulet me 0.8 pikë përqindje.
Në mbyllje të fjalës sime, mbështetur në sa më sipër gjerësisht parashtruar, dëshiroj të ritheksoj se ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ do të vijojnë të sigurojnë stabilitetin e parametrave kyç makro-fiskal e buxhetorë, krahas garantimit të trajektores rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB, në përputhje me rregullin fiskal respektiv të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike, si dhe stabilitetin makroekonomik të vendit në tërësi.

/rtsh.al/