RTSH 24 Live

Ekonomi

Subjektet akomoduese, status special edhe për 3 vite. Tabaku: Kundër ligjit me porosi

4 orë para

Subjektet akomoduese, status special edhe për 3 vite. Tabaku: Kundër ligjit me porosi

Me propozim të deputetit Blendi Klosi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave u diskutuan disa ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Nisma e propozuar konsiston në shtyrjen e afatit të përfitimit të lehtësirave tatimore edhe për 3 vite të tjera për strukturat akomoduese që kanë statusin special.

"Është nga ato ndërhyrje që sjellin një përmirësim të jashtëzakonshëm në industri," tha z. Klosi.

"Unë jam kundër ligjeve speciale dhe ky është një ligj special, një ligj me porosi për një grup të caktuar, që favorizon një sektor të caktuar dhe prek një numër shumë të vogël individësh," u shpreh deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Deputeti Erion Braçe foli për nevojën për përmirësimin e mënyrës së administrimit të të ardhurave, si dhe për rreziqet që vijnë nga informaliteti.

"Në qoftë se informaliteti na mbërrin edhe te strukturat që ne i kemi favorizuar me një favor fiskal, pastaj është ku të thërret qameti. 518 milionë lekë fitim në harkun e një viti nga 10–11 struktura s'janë asgjë," deklaroi z. Braçe.

Po ashtu, deputeti socialist kërkoi një monitorim më të mirë të këtyre investimeve.

"Jam kundër industrisë së turizmit që prodhon vila për të shitur e që zënë gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë," shtoi z. Braçe.

Paketa e lehtësirave fiskale lidhur me hotelet brand-name, të cilat kanë statusin special, parashikon përjashtimin nga tatimi mbi fitimin, TVSH 6%, përjashton këto subjekte nga taksa mbi ndërtesën, taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe këto lehtësira do të përfitohen deri në 31 dhjetor 2029.

Në përfundim, projektligji u miratua në parim nga Komisioni.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/