RTSH 24 Live

Ekonomi

Nga 1 shkurti, lexuesit e matësit do gjurmohen. Balluku: Shtojmë 120 punonjës të rinj

7 orë para

Nga 1 shkurti, lexuesit e matësit do gjurmohen. Balluku: Shtojmë 120 punonjës të rinj

Të gjithë punonjësit, të cilët lexojnë matësit e energjisë elektrike, duke filluar nga 1 shkurti do të monitorohen me gjurmues në kohë reale.

Kjo masë synon të rrisë saktësinë dhe transparencën në procesin e faturimit të konsumit të energjisë elektrike, duke reduktuar mundësinë e gabimeve ose manipulimeve.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, administratori i OSHEE-së Enea Karakaçi dhe administratori i OSSH-së Blendian Dalipi zhvilluan një takim me punonjësit e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, duke diskutuar mbi masat e marra dhe detyrat që dalin nga skema e re e faturimit të energjisë elektrike.

"Të gjithë lexuesit të jenë prezentë dhe asnjë lexim të mos bëhet në mënyrë fiktive. Kjo do të bëhet e mundur nëpërmjet një verifikimi që i kemi shtuar së fundmi aparatit, që do të jetë identifikimi i vendndodhjes së lexuesit në momentin kur bën leximin, pra, 'geo-location'," u shpreh administratori i OSSH-së, Blendian Dalipi.

Ministrja Balluku theksoi rëndësinë e integritetit dhe sakrificës së lexuesve të terrenit të matësve të energjisë për të realizuar detyrat, ndërsa njoftoi se ekipi i OSHEE-së, i përbërë nga 870 punonjës, do të përforcohet me 120 të rinj, për t’u dhënë mbështetje gjatë periudhës së zbatimit të çmimit të ri të energjisë.

“Jeni një trupë 870 punonjës që do ju shtohen dhe 120 punonjës të rinj për t’ju dhënë një ndihmë pasi duke filluar nga 1 shkurti OSHEE do aplikojë një çmim të ri 10.5 % më të ulët për të gjithë abonentë familjarë ose 95 % të gjithë abonentëve. Do jetë një matje 30 ditore dhe nuk duhet të ketë vonesa që të mos kalohet konsumi prej 700 kWh. Për këtë janë marrë një sërë masash deri në zgjidhjen përfundimtare me vendosjen e matësve inteligjentë”, tha Balluku.

Nga 1 shkurti, OSHEE do të zbatojë një çmim më të ulët prej 10.5% për 95% të abonentëve që janë familjarë, ndërsa periudha e matjes do të jetë 30 ditore dhe nuk do të lejohet vonesë në leximin e matësve për të shmangur tejkalimin e konsumit prej 700 kWh. Ky proces është pjesë e një planifikimi më të gjerë që synon dixhitalizimin dhe instalimin e matësve inteligjentë për të përmirësuar shërbimin dhe për të ulur humbjet.

Çmimi do të ulet me 1 lek, duke kaluar nga 9.5 lekë në 8.5 lekë për kilovat-orë. Ky çmim i ri do të jetë i vlefshëm për konsumin deri në 700 kilovat. Mbi këtë kufi, çmimi do të mbetet 9.5 lekë për kilovat-orë.

Për rekrutimin e punonjësve të rinj, OSHEE ka parashikuar një fazë aplikimi më 5 shkurt, ku kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat për një diplomë të shkollës së mesme dhe një dëshmi të pastër penaliteti. Po ashtu, ata do të kalojnë një testim me shkrim dhe gojë për të verifikuar aftësitë e tyre profesionale.

“Kemi një plan masash për leximin e saktë të matësve deri në marrjen e masave përfundimtare për dixhitalizimin dhe instalimin e tyre. Ky është një hap i rëndësishëm që të ecim me ritme të shpjeta, të ulim humbjet dhe të rrisim një shërbim më cilësor për qytetarët”, tha administratori i OSHEE-së Enea Karakaçi.

Ky angazhim është pjesë e një strategjie të gjerë për të përmirësuar shërbimin e energjisë elektrike dhe për të siguruar një matje të saktë dhe transparente të konsumit të energjisë për të gjithë qytetarët.

/rtsh.al/