RTSH 24 Live

Kosovë

Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, një "referendum" për koalicionin qeverisës

4 orë para

Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, një "referendum" për koalicionin qeverisës

Koalicioni i partnerëve qeverisës në Kosovë është i bindur se ka bërë mirë gjatë katër viteve në drejtim të vendit dhe tani kërkon një mandat të dytë me Albin Kurtin në krye.

Mimoza Kusari-Lila e vërteton këtë edhe me popullaritetin në rritje të kryeministrit te qytetarët.

"Rrallë ndodh që një kryeministër të jetë në detyrë apo në zyrë për katër vite dhe të mos i bjerë fare popullariteti, por të jetë mbi 50 për qind. Gjatë gjithë kohës së matjeve, besueshmëria për të ka lëvizur nga 50 në 60 për qind nga qytetarët e Republikës," shprehet znj. Kusari-Lila.

Ndërsa ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Shwarz (lex. Shvarc), thotë se edhe ndërkombëtarët ndjehen më mirë me investimin e tyre në Kosovë.

"Kur janë pyetur qytetarët e Kosovës se cilat janë arritjet më të mëdha të qeverisë, e para ka qenë natyrisht luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, ndërsa në rendin e dytë sipas qytetarëve të Kosovës vjen përmirësimi i dukshëm i imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare. Prandaj në këtë përmirësim të dukshëm të imazhit natyrisht që përfshihen shumë tema. Së pari, sundimi i ligjit dhe forcimi i demokracisë në Kosovë kanë ndikuar ndjeshëm edhe te partnerët, aleatët tanë, që ta shohin Kosovën pak më ndryshe dhe ta ndiejnë veten më shumë krenarë për gjithë investimin e këtyre viteve," thotë ministrja Gërvalla-Shwarz.

Ndërsa ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, për mikrofonin e RTSH-së tregon shkaqet pse Vetëvendosja kërkon një mandat të dytë.

"Këto zgjedhje po i shohim edhe si një lloj referendumi për punët që janë bërë në këto katër vite. Pra, pyetja që po bëjmë ne dhe të cilën duhet ta kuptojmë në një formë referendumi më 9 shkurt, duhet të na tregojë nëse kemi bërë mirë me shtrirjen e sovranitetit, me reformat tona për zhvillim dhe punësim, për shpërndarjen që u kemi bërë qytetarëve për të adresuar disa sfida të mëdha të kategorive më të margjinalizuara të shoqërisë. Së dyti, natyrisht, ne duam një mandat të ri me duar të lira, një mandat të Vetëvendosjes të pavarur nga korrupsioni ose nga grupet e interesit, që e kanë kontrolluar vendin tonë për afro dy dekada. Ndaj 9 Shkurti është shumë i rëndësishëm. Për ne është historik. Për vendin tonë është zhvillimor," deklaron z. Çeku.

Koalicioni qeverisës në Kosovë përbëhet nga Lëvizja Vetëvendosje Lista Guxo dhe Partia Alternativa, dhe ka si synim fitoren e zgjedhjeve me mbi 500 mijë vota.

Gazetar: Noljan Lole

/rtsh.al/