RTSH 24 Live

Kosovë

19 vjet pa Ibrahim Rugovën, Kosova nderon presidentin e parë

16 orë para

19 vjet pa Ibrahim Rugovën, Kosova nderon presidentin e parë

Në homazhet për 19-vjetorin e vdekjes së presidentit të parë të Kosovës Ibrahim Rugova, kryeshtetarja aktuale Vjosa Osmani e cilësoi ish-presidentin arkitekt të pavarësisë.

Dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit tonë në një kohë jashtëzakonisht të rëndë kur po rrezikohej edhe shfarosja e qytetarëve tanë, e popullit të Kosovës. Në atë kohë presidenti Rugova jo vetëm qe bëri bashkë të gjithë qytetarët rreth kauzës për liri, demokraci, pavarësi, por njëkohësisht u bë zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të fuqishme të cilat na u deshën më së shumti në ato kohë të vështira,” u shpreh znj. Osmani.

Presidentja vlerësoi vizionin e Rugovës, për të cilin tha se sot shërben si udhërrëfyes dhe shembull jo vetëm për liderët shtetërorë të Kosovës, por edhe për liderët kudo në botë.

Vizioni i presidentit Rugova ishte largpamës, ai ishte një politikan i jashtëzakonshëm që i solli politikës dimensionin human të saj, dimensionin që fatkeqësisht mungonte për një kohë të gjatë, prandaj edhe mbetet jo vetëm shembull i vizionit dhe i politikëbërjes në Kosovë, por edhe kudo që shkojmë në botë,” tha presidentja e Kosovës.

Kreu i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi Ibrahim Rugovën si shqiptarin më të madh të të gjitha kohërave.

Ndërkohë në sheshin që mban emrin e tij u ekspozua makina e restauruar nga presidenca e Kosovës, që u përdorur nga Rugova në kohën kur ai drejtonte shtetin.

Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006 në moshën 61-vjeçare.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/