Opozita në Kosovë e sheh me mjaft optimizëm fushatën e saponisur dhe duket se është përqendruar tek temat ekonomike.
Ashtu si Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me një kandidat nga fusha e financës, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me një program konkret, u është drejtuar qytetarëve duke prekur çështje konkrete.
"Nga këndvështrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, fushata është duke ecur jashtëzakonisht mirë. Duket një mobilizim shumë i mirë, një përkrahje jashtëzakonisht e madhe e qytetarëve për Bedri Hamzën, njeriun që PDK-ja e ka nxjerrë si kandidat për kryeministër. Ballafaqimi i qytetarëve në Republikën e Kosovës sot është mungesa ose pamundësia për të kaluar muajin me pagat dhe të hyrat që kanë," thotë Abelard Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së.
"Lidhja Demokratike e Kosovës është e vetmja parti që ka tashmë dy vite që e ka bërë publik programin e saj, një program konkret për secilën fushë. Është e vetmja qeveri që e ka plotësuar një mandat të plotë, por nuk ka asnjë rezultat të prekshëm. Kemi pasur qeveri më jetëshkurtra, por me rezultate më efikase, si në aspektin e zhvillimit ekonomik, në infrastrukturë, përmirësimi i arsimit, përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore, kulturës," shton Arben Gashi, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së.
Mirëpo ka edhe parti që nuk harrojnë dhe ngrenë lart aspektin patriotik dhe nacionalist, duke pasur si kandidat për kryeministër një njeri të dalë nga lufta.
"Respekt për çdo kandidat për kryeministër. Ka mbetur pothuajse i vetmi Ramush Haradinaj si kreu i UÇK-së," shprehet kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.
Fushata ka hyrë në javën e dytë të saj dhe vihet re një ashpërsim i toneve nga të gjitha palët kundër njeri tjetrit.
Gazetar: Noljan Lole
/rtsh.al/