Është anuluar mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë, e planifikuar për t’u zhvilluar në Gjakovë të mërkurën (14 qershor). Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat, ku u shpreh se për shkak të agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me bashkësinë euroatlantike, takimi nuk mund të zhvillohet sipas formatit të përcaktuar.
Kryeministri theksoi se, pas konsultimeve me shefin e diplomacisë europiane, Josep Borrell, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ditën e nesërme të zhvillojnë një takim në Gjakovë në një format më të ngushtë, por theksoi se kjo kërkesë është refuzuar nga ai.
“E kam informuar kryeministrin Kurtin se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur me shefin e diplomacisë europiane, Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes, për të diskutuar lidhur me këtë situatë që po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike. Nuk kemi patur dakordësi me Kurtin, ai ka kërkuar që mbledhja të kryhet dhe veç të diskutojmë dhe për këtë, por kjo s’është e mundur”, tha Rama.
Ndërsa arsyetoi vendimin e marrë, Rama tha se Shqipëria nuk operon e izoluar, teksa theksoi se “nuk ka asnjë shans” që të zhvendoset nga boshti i bashkësisë euroatlantike.
Edhe njëherë, Rama tha se nuk është dakord me vendimet e Kurtit për menaxhimin e situatës pas tensioneve në veri të Kosovës, duke shtuar se Shqipëria mbështet propozimet e aleatëve perëndimorë.
“Ne e kemi problem sepse Shqipëria nuk është një UFO, nuk operon e izoluar. Marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën është një marrëdhënie vëllazërie, por Shqipëria është një shtet, pjesë e pandashme e bashkësisë eurotalantike, është vend anëtar i NATO-s dhe nuk ka asnjë shans që Shqipëria të zhvendoset nga boshti i bashkësisë euroatlantike për të, nuk e di se çfarë, se për më tepër e kam thënë që ne mendojmë 100% siç mendojnë aleatët tanë në këtë rast. Kur disa prej partnerëve i thoshin Albinit mos i mbani zgjedhjet në veri, isha 100% me Albinin që zgjedhjet duheshin mbajtur sepse bojkoti i serbëve nuk mund të fitonte statusin e instrumentit fatal për Republikën e Kosovës. Por sot jo vetëm nuk ndajmë opinionin mbi mënyrën si po veprohet, por jemi 100% kundër mënyrës si po veprohet”, u shpreh kryeministri.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Kurti nuk ndërron mendje dhe takimi nesër nuk zhvillohet, Rama tha se pasojat negative bien mbi Kosovën, teksa u kujdes të theksonte se marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve nuk cenohen.
“Jeta vazhdon, keq për Kosovën fatkeqësisht, aspak mirë as për kryeministrin e Kosovës. Ne do vazhdojmë, vëllazërinë nuk e kemi politike, por buron nga gjaku i njëjtë, historia e njëjtë dhe e ardhmja e njëjtë. Ne nuk bëhemi palë në një absurd, do ishte tradhti e madhe që do i bënim Kosovës, përveçse çmenduri për Shqipërinë”, tha Rama.
Kjo do të ishte mbledhja e nëntë e zhvilluar mes dy qeverive, ndërsa anulimi vjen pas ngjarjeve në veri të Kosovës.
Kujtojmë se kryeministri Rama ka propozuar një draft lidhur me asosacionin e komunave serbe, për të cilin Kurti u shpreh në një reagim këtë të martë (13 qershor) se do të ishte një model shumë i mirë për pakicat shqiptare në Serbi.
“Unë i besoj kryeministrit Rama se ai beson se ai model është i mirë për pakicat kombëtare, edhe duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë neni 8 pika 1, dhe kontestin politik ku ndodhemi, unë po tregoj ku është adresa dhe cilat do të jenë kërkesat për këtë model. Adresa: Beogradi, kërkesat për shqiptarët në Preshevë dhe Medvegjë", u shpreh Kurti.
Sa i përket draftit, Rama tha se ia ka dërguar atë Presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe se është punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe europianë prej kohësh.
/rtsh.al/