RTSH 24 Live

Kosovë

Drafti i Ramës, Kurti: Do jetë një model i mirë për pakicat shqiptare në Serbi

13/06/2023

Drafti i Ramës, Kurti: Do jetë një model i mirë për pakicat shqiptare në Serbi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka komentuar për herë të parë draftin e propozuar nga kryeministri Edi Rama lidhur me asosacionin e komunave serbe në veri.

Kurti tha se nuk e ka lexuar draftin, por beson se ai do të jetë një model shumë i mirë për pakicat shqiptare në Serbi.

“Unë i besoj kryeministrit Rama se ai beson se ai model është i mirë për pakicat kombëtare, edhe duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë neni 8 pika 1,  dhe kontestin politik ku ndodhemi, unë po tregoj ku është adresa dhe cilat do të jenë kërkesat për këtë model. Adresa: Beogradi, kërkesat për shqiptarët në Preshevë dhe Medvegjë. Unë nuk e kam lexuar, por i besoj kryeministrit Edi Rama se ai model është i mirë dhe i duhur. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe se nesër kemi takimin e  përbashkët të dy qeverive dhe na presin marrëveshje të reja dhe lajme të tjera të mira.

Kurti tha se Kosova i dëgjon këshillat e partnerëve, por vendimet do të duhet t’i marrë vetë.

Lidhur me situatën e tensionuar në veri, kryeministri Edi Rama bëri me dije pak ditë më parë se ka përgatitur një draft lidhur me asosacionin e komunave serbe në Kosovë.

Rama tha se i ka dërguar draftin Presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe se është punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe europianë prej kohësh. Kryeministri shtoi gjithashtu se nuk është konsultuar me Kurtin për këtë draft.

/rtsh.al/