RTSH 24 Live

Ekonomi

Agroturizmi krijon ekonomi dhe punësim për emigrantët e kthyer në zonën e Belshit

02/11/2024

Agroturizmi krijon ekonomi dhe punësim për emigrantët e kthyer në zonën e Belshit

Shqiptarët që kanë emigruar në fillim të viteve '90 po kthehen dhe po investojnë në Shqipëri, kryesisht në turizëm.

Ky është edhe rasti i familjes Musta, ku kryefamiljari, pasi provoi emigrimin në Greqi dhe Itali, vendosi të kthehej në vendlindje në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, në Belsh.

Ai shfrytëzoi të vetmen pasuri që kishte, një fermë bujqësore modeste, ku falë punës dhe ideve arriti ta kthente në një agriturizëm të suksesshëm.

"Objekti që shikoni sot mbrapa meje, i quajtur Hani i Qerosit, fillimisht ka nisur si një fermë e vogël e familjes, ku bënin pjesë kafshësi dhi, dele, pata, pula etj. Qëllimi i saj ka qenë kalimi i kohës në fundjavë së bashku me familjen tonë dhe konsumi i produkteve të kafshëve, si bulmeti, vezët etj." tregon sipërmarrësi.

Ky biznes sot ofron të gjitha produktet bio të zonës, duke prodhuar ekonomi edhe për fermerët, por edhe duke i punësuar ata në këtë agroturizëm.

"Duke parë se agroturizmi është një industri në zhvillim në Shqipëri, e përqafuar nga të huaj e shqiptarë menduam ta zgjeronim këtë sipërmarrje, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e cilësisë së jetës së komunitetit. përveç të punësuarve që kemi këtu, të cilët janë banorë të fshatrave përreth, ne bashkëpunojmë dhe me fermerët e zonës," shprehet sipërmarrësi.

/rtsh.al/