Instat ka publikuar të dhënat e flukseve hyrëse-dalëse të shtetasve shqiptarë dhe të huaj përgjatë muajit nëntor.
Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me nëntorin e një viti më parë, duke konfirmuar periudhën pozitive që po kalon vendi, ndikuar kryesisht nga sektori i turizmit.
Sipas të dhënave zyrtare, në total janë 1.265.009 shtetas, të cilët kanë hyrë në Shqipëri, me një rritje prej 15,1% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Ndërkohë 1.275.333 shtetas kanë dalë nga vendi, me një rritje prej 18,6% në të njëjtën periudhë.
Numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në vend ka arritur në 660.677, duke shënuar një rritje prej 19,6%. Hyrjet e shtetasve të huaj janë 604.332, një rritje prej 10,4% krahasuar me nëntor 2023. Daljet e shtetasve shqiptarë ishin 629.845, me një rritje prej 13,5%, ndërsa daljet e shtetasve të huaj arritën në 645.488, me një rritje e fortë prej 24,1%.
Përgjatë muajit nëntor të dhëna tregojnë për një tejkalim të numrit të udhëtarëve shqiptarë ndaj atyre të huaj, çka flet për një vijueshmëri konstante të qarkullimit të udhëtarëve shqiptarë dhe një rënie të fluksit të vizitorëve të huaj me një rënie me mbi tri herë krahasuar me rekordin e shtatorit të këtij viti.
Evropa mbetet burimi kryesor i vizitorëve të huaj, duke përbërë 96% të hyrjeve. Shumica dërrmuese e hyrjeve të shtetasve të huaj (97%) janë për qëllime personale, kryesisht për pushime dhe vizita tek të afërmit e tyre.
Megjithatë, është vënë re një rritje e hyrjeve për qëllime biznesi dhe profesionale.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/