RTSH 24 Live

Ekonomi

AKU Elbasan kryen inspektime në tregje në 7 bashki me synim mbrojtjen e konsumatorit

22/12/2024

AKU Elbasan kryen inspektime në tregje në 7 bashki me synim mbrojtjen e konsumatorit

Autoriteti i Kontrollit Ushqimor në Elbasan ka nisur kontrolle të imtësishme lidhur në cilësinë e produkteve ushqimore dhe pijeve të ndryshme që tregtohen në markete, restorante dhe në tregjet e hapura.

Ky kontroll vjen si pasojë e konsumit të lartë nga qytetarët në festat e fundvitit.

Përgjegjësi Firdus Kurti është shprehur për Radio Televizionin Publik Shqiptar se deri më tani nuk është konstatuar asnjë problematikë sa i takon cilësisë së ushqimit.

Deri më tani janë kontrolluar subjekte prodhuese dhe  magazinat ushqimore. Thirrja kundrejt qytetarëve është që të konsumojnë produkte të cilat kanë etiketë të dukshme në gjuhën shqipe dhe që janë brenda afateve të përdorimit.

“Nuk kemi konstatuar problematika të veçanta. Situata ka qenë e mirë. Janë kontrolluar subjekte prodhuese si edhe magazina ushqimore dhe do të vijohet me kontrolle deri në fund të vitit. Qytetarët të blejnë ushqime në markete ushqimore dhe që kanë etiketë të dukshme në gjuhën shqipe dhe të kenë datë skadencë brenda afateve", tha Kurti.

Autoriteti i Kontrollit Ushqimor në Elbasan  në bashkëpunim edhe me Bashkinë Elbasan ka nisur edhe një fushatë sensibilizimi në tregjet e hapura duke i këshilluar tregtarët që të tregtojnë produkte të sigurta.

Janë tregje të hapura, por kontrollohen nga bashkitë. Ne kemi punuar që aty mos të tregtohen gjëra të skaduara", shtoi ai.

Punonjësit e AKU-së kanë nisur kontrollet në të 7-të bashkitë e Qarkut të Elbasanit duke vëzhguar çdo sektor të mundshëm prodhues apo shitës të produkteve ushqimore për festat e fund vitit, me synimin që qytetarët të jenë të sigurt në blerjet e tyre.

/rtsh.al/