Në Shqipëri ka nisur zbatimi i Planit të Rritjes Ekonomike, programi i madh financiar i Bashkimit Europian i shpallur pak kohë më parë.
Vendi, që synon të realizojë anëtarësimin në kohë rekord, e ka nisur zbatimin e mbështetjes financiare duke vënë në funksionim mekanizmin e kontrollit të fondeve.
"Rëndësia e mekanizmave të pavarur monitorues është e madhe. Për këtë arsye ne e mbështesim raportimin në hije, përveç atij zyrtar, që do të përgatitet nga ekspertët," tha ambasadori i Holandës, Reinout Vos.
"Për ne, ky instrument duhet ta çojë vendin drejt përgatitjes më të mirë për përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim në Kuadrin Financiar Shumëvjeçar të ardhshëm," u shpreh znj. Krisela Hackaj.
Angazhimet për këtë plan dhe zbatimin e tij në Shqipëri i paraqiti Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Eduard Shalsi.
"Për të rritur mbikëqyrjen parlamentare të reformave dhe për të adresuar angazhimet në rritje të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE deri në vitin 2030, strukturat parlamentare do të ristrukturohen dhe forcohen. Duhet krijuar një terren i barabartë për të përmbushur kriteret e anëtarësimit," deklaroi z. Shalsi.
Në tetor 2024, Komisioni Europian miratoi Agjendën e Reformave të Shqipërisë (ARSH) në kuadër të Mekanizmit të Reformave dhe Rritjes (MRR), e cila përfshin 31 reforma dhe disa investime të mbështetura nga një financim prej 922 milionë euro.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/