SPAK i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve formularin e vetëdeklarimit të Ilir Metës. Në shkresën drejtuar KQZ, SPAK kërkon kopjen e formularit të vetëdeklarimit të Ilir Metës “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, po kryen hetime në funksion të procedimit penal Nr.122, të vitit 2022. Për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal, kërkojmë kopje të formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të dorëzuar nga ish-deputeti I Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z.Ilir Metaj (Meta)”, thuhet në shkresën e SPAK.
Ndërkohë SPAK ka sqaruar se kërkesa ndaj KQZ për formularin e vetëdeklarimit të Metës, lidhet me kallëzimin e bërë nga ish-deputeti Halit Valteri i cili ka akuzuar Metën për fshehje pasurie dhe korrupsion dhe pastrim parash.
“Nisur nga interesimi i shumë gazetarëve pranë SPAK, lidhur me një kërkesë që SPAK i ka drejtuar KQZ, sqarojmë se ajo kërkesë është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri. Nuk kemi ndonjë informacion tjetër për të dhënë. Hetimet vazhdojnë”, sqaron SPAK.
Sakaq, më 16 maj, gazeta austriake “Kronen Zeitung”publikoi një artikull sipas së cilës Ilir Meta për të siguruar një foto në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump pagoi 700 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë.
/rtsh.al/