Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka dorëzuar në SPAK kallëzimin e ri për 21 janarin. Nën akuzën për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Shpërdorim detyre” ministri kërkon ndjekje penale për Sali Berishën, në cilësinë e ish-kryeministrit, Lulzim Basha, ish-ministër i Brendshëm, dhe Ndrea Prendi, si ish- komandat i Gardës.
Ministri i Drejtësisë, ka bërë thirrje SPAK, të hetojë vrasjet e 21 Janarit pasi sipas tij janë vrasje të pastra shtetërore dhe nuk mund të trajtohen si vrasje të thjeshta.
12 vite më parë, gjatë protestës së opozitës, asokohe Partia Socialiste, u vranë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Veizit, Myrtajt dhe Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia, ndërsa u dënua ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardisti Agim Llupo me 3 vite. Ende pa autor mbetet vrasja e Aleks Nikës, pasi nuk është mundur të faktohet se nga cila armë është qëlluar predha që i mori jetën atij.
/rtsh.al/