Nga Elbasani, ku uroi qytetarët për Ditën e Verës, kreu i Partisë Demokratikë, Sali Berisha i bëri thirrje demokratëve që të bashkojnë “çdo fluks opozitar”. Koalicioni që ai drejton “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” numëron 24 parti, por Berisha thotë se ftesa për t’ju bashkuar i është bërë edhe partive të tjera të vogla.
“Së pari, do bëni gjithçka të bashkoni çdo fluks opozitar. Do i shtrini dorën çdo opozitari. Do të pranoni bashkimin në diversitet. Bashkimi në diversitet është prova e tolerancës, është lakmusi për një demokrat, për një njeri që u qëndron vlerave demokratike. Unë u them ju, janë ftuar të gjitha këto partitë, pavarësisht se ka prej tyre që nga mëngjesi deri në darkë flasin Sali Berisha, Sali Berisha.
Urdhëroni u thashë unë, mbani atë mendim për Sali Berishën, por hajde të rrëzojmë Edi Ramën. Nuk më prish punë pse e keni atë obsesion. Të largojmë këtë të keqe që po e shkatërron Shqipërinë. Ndaj do të përpiqeni të tërhiqni me vete, do përpiqni të bindni çdo person që do të jetë opozitar dhe e konsideron largimin e Edi Ramës nga pushteti si shpëtimin e Shqipërisë”, tha Berisha.
Berisha hodhi edhe akuza ndaj maxhorancës socialiste, teksa tha se ka shtuar varfërinë te qytetarët.
“Ngado që t’i analizosh, kur mendon se ky vend në 12 vite, kjo qeveri në 12 vite, ka administruar 65 miliardë euro dhe ka sjellë shqiptarët nga më të mirëpaguarit, në më të keqpaguarit në rajon. Pra, këto miliarda nuk u përdorën për jetën e qytetarëve, rrogat, pensionet e tyre. Këto miliarda nuk u përdorën për një transformim madhështor të infrastrukturës. Këto miliarda u zhdukën, u vodhën dhe vetëm u vodhën. Këto miliarda u investuan në skemat se si të vidhet më shumë”, u shpreh kryedemokrati.
/rtsh.al/