RTSH 24 Live

Aktualitet

Përurohet Tuneli i Murrezit, nga sot i qarkullueshëm. Balluku: Është një vepër arti!

2 orë para

Përurohet Tuneli i Murrezit, nga sot i qarkullueshëm. Balluku: Është një vepër arti!

Nga sot (14 mars) Rrugës së Arbrit i është shtuar edhe një tjetër tunel i ri tërësisht funksional, Tuneli i Murrizit.

Vepra infrastrukturore, që shkurton më tej kohën e lëvizjes nga Dibra në Tiranë, u përurua në praninë e kryeministrit Edi Rama, ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministrit të Drejtësisë me origjinë dibrane, Ulsi Manja.

Gjatë udhëtimit inaugurues me autobus, ministrja Balluku e quajti tunelin rreth 3,8 kilometra të gjatë "pjesë të krenarisë së infrastrukturës shqiptare".

"Është plotësisht i përfunduar në të gjithë komponentët e tij. Edhe ana ndërtimore, edhe ana elektromekanike... Gjithçka është funksionale. Trupa e policisë rrugore e ka marrë detyrën për monitorimin. Këtu janë të vendosura edhe njësitë zjarrfikëse. Ka 11 hyrje-dalje tuneli i emergjencës, ku po vazhdojnë disa punime të fundit, por janë operacionale. Nuk parashikohet që të ketë ndërprerje të trafikut," tha znj. Balluku.

Sipas ministres, teknologjia për ndërtimin e tunelit është e ndryshme nga disa tunele të realizuara rishtas, siç është ai i Llogorasë.

"Ky tunel ka pasur vështirësitë e tij, duke nisur nga gjeologjia, projektimi dhe gjithçka tjetër. Por mund të themi që është një nga pjesët e krenarisë së infrastrukturës shqiptare, pa dyshim. Është një vepër arti, duke qenë se tuneli është i gjithi i blinduar në hekur. Përndryshe nuk do të qëndronte. Në këto momente nuk po kalojmë në një tunel të gërmuar, siç është rasti i Llogorasë, por i gjithë i blinduar si një unazë hekuri," tregoi ministrja.

Vitin e kaluar, Rrugës së Arbrit iu shtua një segment i ri, siç është ai nga Maqellara në Peshkopi. Planet janë që vepra të dorëzohet në muajin prill, por kryeministri Rama kërkoi të punohet edhe me pjesën e qarkullimit nga Tirana për të zvogëluar flukset e mundshme të trafikut.

"Tani kemi edhe mundësinë për ta lidhur në lotin 5 të Unazës së Madhe, pra te rrethrrotullimi i Tufinës. Ajo është një pjesë që duhet zgjidhur dhe mund të planifikohet si një vazhdim i Rrugës së Arbrit. Por duhet bërë edhe një plan për sa i përket pjesës te Shkolla e Bashkuar, se edhe ajo mban një ngarkesë shumë të madhe, por që është pjesë së bashkisë së Tiranës," shpjegoi ministrja Balluku.

Me 7 tunele në total, Rruga e Arbrit rreth 74 km e gjatë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë. Ajo është menduar edhe si një korridor lidhës lindje-perëndim, nga Maqedonia e Veriut në portet detare të vendit, që do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë - nga transporti më i shpejtë i burimeve natyrore nëntokësore, si kromi i Bulqizës - dhe të turizmit.

/rtsh.al/