Prokuroria e Posaçme ka vendosur që në fokus të kësaj periudhe të jetë denoncimi i krimeve zgjedhore.
Për të denoncuar një krim zgjedhor në www.spak.gov.al, e para që duhet bërë është të plotësohen disa informacione personale, si emri dhe mbiemri, numri i telefonit, e-mail dhe adresa e banimit, të cilat janë të aksesueshme vetëm nga Prokuroria e Posaçme.
Përmes ikonës së kuqe “Denonco krimin zgjedhor”, SPAK shpjegon qartë se si kryhet kallëzimi online dhe së bashku me ftesën drejtuar qytetarëve jepen edhe udhëzimet konkrete.
Më pas, duhet të zgjidhni veprën, krim aktiv në zgjedhje apo krim pasiv në zgjedhje, si dhe të specifikoni nëse po denonconi një grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, organizatë terroriste apo bandë të armatosur.
Qytetarët mund të denoncojnë zyrtarët më të lartë të shtetit nëse disponojnë informacione, dyshime ose prova për ta, përfshirë presidentin, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, ministrat, gjyqtarët, deputetët, si dhe drejtues të institucioneve të tjera shtetërore dhe të pavarura.
Po ashtu është e mundur të specifikoni natyrën e krimit që po denonconi, duke përfshirë jo vetëm korrupsionin, por edhe keqpërdorimin e funksionit publik për qëllime politike ose zgjedhore, cenimin e fshehtësisë së votës, falsifikimin e materialeve zgjedhore etj.
Ka gjithsej 16 vepra penale që mund të jenë të lidhura me këtë proces zgjedhor.
Nëse keni prova, mund të bashkëngjitni dokumente dhe fotografi si dëshmi gjatë denoncimit, si dhe të jepni një përshkrim të detajuar.
Nëse dëshironi të jepni detaje shtesë, pasi të keni plotësuar formularin e denoncimit mund të kontaktoni me SPAK nëpërmjet adresës e-mail: zgjedhjet2025@spak.gov.al.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/