RTSH 24 Live

Politikë

"Sy më Sy”, Rama: Tuneli i Murrizit një makth i vërtetë, kurth i natyrës, por jam i çliruar që e ndërtuam

7 orë para

"Sy më Sy”, Rama: Tuneli i Murrizit një makth i vërtetë, kurth i natyrës, por jam i çliruar që e ndërtuam

Për kryeministrin Edi Rama, Tuneli i Murrizit që u hap të premten me rastin e Ditës së Verës, ka qenë një “makth i vërtetë” dhe një “odise e pafundme”, pasi ndërtimi i kësaj vepre ishte dhe një “kurth i natyrës, si një kalë që nuk dorëzohet”.

Këto komente kryeministri i ka bërë gjatë një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, për rubrikën "Sy më Sy”. Sipas tij, ndërtimi tunelit ka qenë një sfidë shumë e madhe dhe se realizimi i këtij projekti ka qenë shumë i vështirë.

"Sot jam çliruar nga një makth i vërtetë. Tuneli i Murrizit, një kurth i paparë i natyrës, ku thashë ‘ramë dhe s’kemi për të dalë më’. Kur puna po ecte mirë e bukur, papritur shpërthyen ujërat dhe na morën peng, duke na e shtyrë afatin e përfundimit pa afat," ka nënvizuar Rama, duke e komentuar këtë periudhë se ishte “një odise e pafundme dhe një betejë për të mundur një kalë që nuk dorëzohej".

 Kryeministri, ndër të tjera u shpreh se, pavarësisht sfidave, projekti do të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët dhe zhvillimin e infrastrukturës, duke kontribuar në përmirësimin e qarkullimit dhe forcimin e ekonomive lokale.

Një prej komentuesve shkruan që “ai tunel është jashtë standardeve evropiane”, ndërsa  Kryeministri në përgjigjen e tij, shprehet se jo vetëm ky tunel, por çdo vepër infrastrukturore që ndërtohet, rrugë, shkollë apo spital është e standardeve evropiane.

Kreu i Ekzekutivit thekson se “ne e kemi ndarë mendjen do ta bëjmë këtë vend anëtar të BE-së deri në 2030 dhe kjo do të thotë që jo vetëm çdo shqiptari do t’i japim një pasaportë evropiane, por edhe Shqipërinë do ta pasaportizojmë në Evropë me standardet evropiane”.

Rama iu përgjigj edhe një tjetër komentuesi.

“Po pse Palok e thua lajmin e keq, apo ta do emri që ta mbash me nder duke sharë. Megjithatë, ti duhet ta dish që kjo vepër është bërë me PPP, Partneritet Publik Privat dhe i ka kushtuar këtij shteti shumë më pak se çdo t’i kushtonte sikur privati të mos ishte i detyruar, nga kontrata që i kemi bërë që t’i bënte me shpenzimet e veta punimet masive të paparashikuara kur plasi uji në tunelin e Murrizit. Kjo “vidhni, vidhni” është si e disave që në komentet për hekurudhën Tiranë-Durrës shkruanin pse është me një korsi, apo e keni vjedhur tjetrën”, shprehet Rama.

Një tjetër qytetar bën krahasimin e tunelit të Murrizit me atë të Llogarasë, që sipas tij duket më ekologjik në krahasim me hekurat dhe betonin që është investuar në tunelin e Murrizit që u hap sot.

“Llogaraja s’kishte nevojë për hekura se është shkëmb e ça shkëmbi. Ndërsa, formacioni gjeologjik i Murrizit ka përbërje argjilore, prandaj u desh të blindohej me hekur kështu që mos ki merak se Llogaraja ka lindur e blinduar nga Perëndia”, u shpreh Rama.

Një komentues tjetër, i shkruan Kryeministrit Rama me kureshtjen për pallton e veshur sot gjatë inagurimit të tunelit të Murrizit, pasi po kërkon ta blejë dhe nuk e gjen dot.

“Nuk të vë faj, se ça bën se s’ka ça bën njeriu kur i ha gënjeshtrat si manaferra që shijojnë prej qejfit. Ty të kanë gjetur të uritur për gënjeshtrën e radhës, bretkosat e kënetës dhe të kanë dhënë një manaferrë që unë e pi verën 33 mijë euro shishja. Ti thua s’po gjen dot pallton si e imja se demek është jashtë serie. Jo mor vlla, nuk e mbaj mend sa bënte e kam blerë në Gjermani para 20 e ca vjetësh, ndaj mos e kërko kot se i ka kaluar edhe afati i amortizimit. Po ta më dëgjosh mua, mbahu pak më mirë nga goja mor burrë, se nuk i shkon burrit të merret me rrobat e burrit”, përfundon Rama.

/rtsh.al/