Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se vendi ynë është bërë pjesë në statusin e shtetit vëzhgues në Rrjetin Evropian të Administratës Publike (EUPAN).
Ministrja Pirdeni shkruan se përfaqësuesit e Shqipërisë morën pjesë në këtë takim pune me përfaqësues të vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së.
“Diskutimet u përqëndruan në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira lidhur me prioritetet dhe sfidat e administratave publike evropiane, duke përfshirë etikën, inteligjencën artificiale, administratën e gjelbër, digjitalizimin e shërbimeve publike si dhe burimet njerëzore.”, shkruan Pirdeni.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin e mbyll postimin në rrjetet sociale me një falënderim për Presidencën Polake të Këshillit të BE-së për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm, ku Shqipëria mori pjesë si vëzhguese.
Çfarë është Rrjeti EUPAN?
Rrjeti EUPAN është platforma kyçe e Bashkimit Evropian për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe promovimin e inovacionit në administratën publike në nivel evropian.
/rtsh.al/