RTSH 24 Live

Aktualitet

Festohet Dita e Verës në Lezhë, aktivitete pranë Memorialit të Gjergj Kastriotit

3 orë para

Festohet Dita e Verës në Lezhë, aktivitete pranë Memorialit të Gjergj Kastriotit

E kthyer në traditë, Dita e Verës u festua edhe në Lezhë, ku u organizuan aktivitete të shumta.

Lulishtja pranë Memorialit të Gjergj Kastriotit u shndërrua në një qendër të gëzimit dhe traditës, duke mirëpritur qytetarë të shumtë, fëmijë dhe të rinj, të cilët festuan këtë ditë simbol të pranverës dhe rigjallërimit të natyrës.

Në këtë aktivitet morën pjesë artistë të rinj, të cilët performuan valle, këngë tradicionale, recitime si dhe lojëra të ndryshme, ndërsa pjesë e festës u bënë shumë qytetar dhe vizitor të cilët kishin ardhur nga zona të tjera.

Drejtori i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve në Bashkinë Lezhë Keler Sufja theksoi rëndësinë e ruajtjes së kësaj feste dhe pasurimit të saj me elementë që reflektojnë identitetin kulturor të Lezhës.

Edhe bashkia e Lezhës i është bashkuar kësaj nisme që gjithmonë e më shumë festohet në qytetet shqiptare. I uroj të gjithëve të kenë një sezon veror sa më të mbarë”, tha ai.

Pavarësisht kushteve atmosferike të paqëndrueshme, festimet për Ditën e Verës vijuan përgjatë gjithë paradites të së premtes me aktivitete argëtuese për fëmijët.

Dita e Verës në Kolonjë, për të 6-tin vit radhazi organizohen aktivitete festive

Për të gjashtin vit radhazi, edhe Bashkia e Kolonjës ka organizuar në mënyrë të veçantë festimet për Ditën e Verës.

Në sheshin kryesor të qytetit të Ersekës u zhvillua ceremonia e ndezjes së zjarreve, një rit i hershëm që përcjell fat dhe begati. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe panairi i gatimeve tradicionale dhe simboleve të festës, ku amvisat prezantuan kulaçin, vezët e kuqe, ëmbëlsirat e ndryshme dhe veroret.

Përveç festimeve në qendër të qytetit, banorët kanë ndezur zjarre edhe në rrugët e qytetit dhe oborret e shtëpive të tyre, duke kryer ritualet tradicionale të kësaj dite.

Festa e Ditës së Verës në Kolonjë vazhdon të ruajë dhe të trashëgojë traditat e hershme, duke mbledhur komunitetin në një atmosferë festive dhe të ngrohtë.

/rtsh.al/