Pas 6 viteve në ndërtim, të premten hapet Tuneli i Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, shoqëruar edhe me një foto.
“Gati. Nesër Dita e Verës shkon edhe në Dibër dhe Dibra bohet lagjja e gjelbër e Tironës”, shkruan Rama.
Edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi të enjten Tunelin e Murrizit, një vepër komplekse dhe sfiduese, si dhe duke lajmëruar nëpërmjet një video-mesazhi hapjen e tij me 14 mars për qarkullim, duke shënuar kështu edhe përfundimin e Rrugës së Arbrit, të cilën Balluku e quajti “rruga e të gjithë shqiptarëve”.
“Vite e muaj punë e palodhur në një vepër sfiduese infrastrukturore e cila padyshim është edhe vepra infrastrukturore më e madhe e verilindjes”, tha ajo.
Hapja e tunelit të Murrizit e bën të aksesueshme të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme në vend, e cila pritet të shënojë edhe një rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik për Veriun.
Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3,78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. Ai ka 11 dalje. Në total, Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi 8,5 km.
Me gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore.
/rtsh.al/