Në prezantimin e programit të qeverisjes për vitet 2025-2029 për infrastrukturën dhe transportin, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se me ardhjen në pushtet, përparësi do të ketë zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me tre korsi si dhe zgjerimi rruga Milot-Shkodër.
“Bëhet e zhbëhet një tender se si të rriten çmimet Milot-Balldre. Për ne, përparësi absolute ka së pari zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me tre korsi dhe korsi urgjence në dy anët. Së dyti, rruga Milot-Shkodër. Zgjerimi i kësaj rruge është kusht, është emergjencë sot. Natyrisht përfundimi në kohë i rrugëve që po u harrohet emri. Ato janë shumë të domosdoshme.
Të mos harrojmë se rruga e parë automobilistike në Shqipëri është segment i kësaj unaze, Delvinë-Devoll. Ne punuam në këtë unazë jo pak. Nga Valbona në Gjoricë. Punuam në aksin Gjoricë-Librazhd dhe në segmente të tjera", tha Berisha.
Berisha tha se PD do i rikthehet me vendosmëri infrastrukturës rurale.
"Banorët e fshatit duhet të kenë infrastrukturën e njëjtë me të qytetit, rrugët, ujësjellësat, kanalizimet, shkollat. Përndryshe pse do të jetojë ai aty. Pra në këtë kontekst ne i rikthehemi infrastrukturës së Shqipërisë rurale me vendosmërinë më të madhe”, tha Berisha.
Ndër të tjera, Berisha premtoi se përparësi absolute do t’i jepet mirëmbajtjes së rrjetit rrugor.
/rtsh.al/