RTSH 24 Live

Politikë

21 Janari/ Manja: Sot dorëzojmë kallëzimin, SPAK të marrë audion e përmendur në media si provë

23/01/2023

21 Janari/ Manja: Sot dorëzojmë kallëzimin, SPAK të marrë audion e përmendur në media si provë

Mazhoranca do të dorëzoj sot në SPAK kallëzimin e ri për 21 Janarin dhe I ka bërë thirrje organit hetues që të marrë në shqyrtim transkriptimin e audios së publikuar në media, ku pretendohet se pasqyron komunikimin e gardistëve në radio gjatë 21 Janarit.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se SPAK duhet të marrë provën audio dhe të verifikoj nëse është autentike apo jo, pasi vrasjet e 21 Janarit nuk mund të trajtohen si vrasje të thjeshta, pasi sipas tij janë vrasje të pastra shtetërore.

“Ka një fakt të ri që duhet të hetohet në mënyrë objektive nga SPAK. Ne nuk i hyjmë nëse prova që ka dalë është autentike apo jo por kjo i takon SPAK-ut që të hetojë dhe ta deklarojë një gjë të tillë. Ato që ndodhën më 21 janar nuk kanë asnjë justifikim. Kushdo që i justifikon ato vrasje bën një krim tjetër kundër drejtësisë. S’mund të barazohen vrasësit me protestues të lirë, njerëz me duan në xhepa. Ish-Kryeministri e ka thënë që përsëri po të isha në të njëjtat kushte do kisha marrë snajperin dhe do të kisha vrarë edhe Edi Ramën. Edhe vetëm për këtë deklaratë do të duhej të merrej i pandehur. Ne nuk e kemi pritur nga drejtësia e vjetër por tashmë SPAK. 21 janari nuk ishte një krim i rëndomtë por vrasje të pastra shtetërore. U vranë 4 qytetarë në kohën kur protesta ishte drejt përfundimit. Tashmë ka një provë të re që duhet ta hapë 21 janarin. Edhe drejtësia që pretendohet se është bërë për 21 janarin, me vrasje nga pakujdesia. Ato  vrasje nuk mund të jenë kurrsesi vrasje nga pakujdesia nëse pranohet fakti se ka pasur komunikime nga ‘grupi i zjarrit’, kjo mbetet krim shtetëror dhe ngjarje për ta hetuar. Ne jemi në anën e drejtësisë, e kemi inkurajuar të hetojë për këdo. Nëse sot ka zyrtarë të dënuar për vepra nga më të lehtat, pse hezitohet të çohet deri në fund një ngjarje e tillë kaq e madhe. Sot do ta dorëzojmë kallëzimin në SPAK pastaj administrimi i kasetës si provë i takon këtij organi”, tha Manja.

12 vite më parë, gjatë protestës së opozitës, asokohe Partia Socialiste, u vranë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjykata vlerësoi se vrasjet e Veizit, Myrtajt dhe Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia, ndërsa u dënua ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardisti Agim Llupo me 3 vite. Ende pa autor mbetet vrasja e Aleks Nikës, pasi nuk është mundur të faktohet se nga cila armë është qëlluar predha që i mori jetën atij.

/rtsh.al/