RTSH 24 Live

Kosovë

17-vjetori i Pavarësisë, Steinmeier: Gjermania do që Kosova të bëhet anëtare e BE

16/02/2025

17-vjetori i Pavarësisë, Steinmeier: Gjermania do që Kosova të bëhet anëtare e BE

Mes shumë krerë të shteteve në botë, Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, iu bashkua të dielën urimeve për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në urimin drejtuar homologes Vjosa Osmani, Presidenti Steinmeier ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për pavarësinë dhe rrugën evropiane të Kosovës, duke rikujtuar se shteti i tij në shkurt 2008, ishte ndër vendet e para që njohu shtetin e Kosovës.

"Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë," thuhet në urimin e Presidentit Steinmeier.

Më tej, Steinmeier ka nënvizuar se në çështjet e politikës së jashtme, Kosova është pozicionuar qartësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, veçanërisht në mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë, në shkelje të të drejtës ndërkombëtare.

"Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian," thuhet në letrën e urimit.

Në fund të urimit të tij, Presidenti Steinmeier ka theksuar se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës, duke përkrahur stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin evropian.

/rtsh.al/