RTSH 24 Live

Televizion

“Një natë sa një jetë” dedikim zërit brilant të Nexhmije Pagarushës, artistja që shërbeu si institucion për brezin e saj

31/03/2024

“Një natë sa një jetë” dedikim zërit brilant të Nexhmije Pagarushës, artistja që shërbeu si institucion për brezin e saj

“Një natë sa një jetë” këtë të diel (31 mars) i kushtohet një emri të madh të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushës. Një artiste që nuk është më mes nesh fizikisht, por pasurinë e madhe që ka lënë në muzikën shqiptare për brezat e ardhshme është e paçmueshme.

Ajo ka lënë edhe kujtime të paharrueshme mes miqve të saj dhe adhuruesve të zërit të saj.

Me ngjyrat e zërit të saj përjetësoi muzikën shqiptare me të cilën krenohet i gjithë populli ynë, ndërsa me interpretimin e ndjerë preku të gjithë publikun që e duartrokitën fort sa herë që zëri i saj dëgjohej në skenë.

Spektakli i sotëm “Një natë sa një jetë” në RTSH iu dedikua pikërisht këtij vokali brilant dhe artistes së dashur që ishte Nexhmija e sjellë nga historitë e mikeshave të saj të ngushta dhe bashkëpunëtorëve.

Dy mikeshat e saj të ngushta këngëtaret nga Kosova, Shpresa Gashi dhe Shpresa Berisha, flasim plot mall për dashurinë e pakushtëzuar që Nexhmija dhuronte dhe vlerat artistike që ikona e muzikës tonë përcillte.

“Për Nexhmijen është folur dhe shkruar shumë nga njerëzit e letrave për aftësitë e saj artistike. Unë doja të flisja për dashurinë dhe tolerancën e saj ndaj meje. Ajo ka qenë tekanjoze dhe mbante mëri, por çuditërisht ndaj meje ka qenë tolerante edhe pse jam rebeluar shumë ndaj saj, dashuria mes nesh ka qenë pa kushte. Nexhmija për gjëmëtarët e saj ka qenë diell, ka qenë institucion dhe ne kemi mësuar shumë nga ajo”, u shpreh Gashi.

“Nexhmija ende jeton pasi të gjithë jemi këtu sot për të nderuar emrin e madh të Nexhmije Pagarushës. Ajo është krijuar mbi rrënjët e veta dhe përfundoi te rrënjët e veta ku dhe sot pushon në Pagarushë. Ajo ishte personi që saktësisht e ka ditur se ku bënte pjesë familja, miqtë, dashamirësit dhe personat që ka bashkëpunuar. Nexhmija thoshte se kënga shqipe e ka ngritur lart. Unë them se të dyja kanë qëndruar së bashku dhe ishin në hormoni, dhe kënga shqipe e ngrit atë dhe ajo ngrit këngën shqipe”, tha Shpresa Berisha.

Për muzikologët Behar Arllati dhe Zana Shuteriqi zëri i Nexhmije Pagarushës ishte i papërsëritshëm dhe nuk mund të imitohet, të cilën së bashku me Vaçe Zelën, i cilësuan si ikonat e muzikës shqiptare.

“Shtrirja e zërit të Nexhmijës ka qenë e mrekullueshme. Thjeshtësia dhe lehtësia që interpretonte notat duke ruajtur ngjyrën dhe timbrin e zërit që ka pasur, një zë i papërsëritshëm që nuk mund të imitohet. Nexhmija “ha bukë veç” siç thuhet në Shqipëri””, tha Behar Arllati.

“Ne e adhuronim Nexhmijen Pagarushe siç adhuronim dhe Vaçe Zelën, janë dy ikonat e muzikës shqiptare. Ajo ishte një mike e vazhdueshme e misionit shqiptar, që sot quhet Ambasadë. Ajo e përfaqësonte Kosovën denjësisht, por ne ishim të nderuar që ajo artiste e madhe ulej dhe bisedonte me ne”, u shpreh profesoresha Zana Shuteriqi.

Nexhmiej Pagarusha është një oqean dijesh edhe për brezin e ri, të cilin e ka frymëzuar të sjellin këngët e vjetra shqiptare.

“Për mua Nexhmije Pagarusha, por edhe Vaçe Zela kanë qenë dy ikonat e muzikës shqiptare që më kanë frymëzuar për me u marr me muzikë dhe me rikthyer këngët e vjetra”, tha këngëtarja Edona Reshitaj.

“Takimi me Nexhmijen dhe zërin e saj ka qenë përmes këngës Baresha. Këngët e saj e përsosin më së mirë zërin e saj dhe ajo është një oqean plot dije për brezin tonë të ri dhe ne mund të përfitojmë të kapim disa grimca nga ajo”, u shpreh këngëtarja Alisa Berisha

Një Nexhmije plot ngjyra dhe me mozaikë të shumtë në intereptimet e saj, kështu e shikon muzikën e saj mjeshtri i mozaikëve Saimir Shtarti, i cili i ka dedikuar edhe një portret mozaik prej porcelani.

Shtarti tha se ky mozaik u frymëzua nga “Baresha”, një këngë e kthyer në himn për vetë artisten. Një vepër e punuar me porcelan që i jep një shkëlqim të veçantë portretit të saj, si një dritë dielli që e mbulon të gjithën.

“Mozaikët janë muzika e syve, ndërsa Nexhmija ishte gjeni i muzikës shqiptare dhe e krahasuar me artin figurativ do thoja se ka shumë ngjyra brenda saj dhe në çdo këngë të saj unë shikoj një mozaik”, tha Shtarti.

Nexhmije Pagarusha nuk ishte e dashur vetëm për popullin shqiptar, por edhe për vetë ikonën tjetër të muzikës shqiptare Vaçe Zela. Në një video arkiv të RTSH, Vaçe Zela flet plot dashuri dhe respekt për dinjitetin artistik që Pagarusha sillte në skenë.

 “Ajo është një këngëtare e madhe, nuk mund ta harroj momentin dhe kënaqësinë e madhe artistike që ndjeva kur e pashë për herë të parë në skenën tonë. Nga një cep i skenës del një grua e bukur me një dinjitet të plotë artistik. Ajo u ulë në tokë përpara spektatorit të kryeqytetit dhe më pas filloi të këndonte. Zëri ishte shumë i bukur, me një vokal me lirizëm të ëmbël dhe këndonte me gjestikulacione. Kaq natyrshëm dhe ndjenjë sa spektatori duartrokiste edhe për gjestet e saj”, shprehej Vaçe Zela, moment që u diskutua edhe mes të ftuarve në “Një natë sa një jetë”.

Nexhmije Pagarusha u bë këngëtare solo në moshën 14 vjeçe në Radio Prishtina. Ajo u spikat në një kohë kur nuk ishin këto teknologji dhe nuk ka qenë aspak e lehtë. Ajo ka pasur një familje që e kanë mbështetur, ku mikesha e saj Shpresa Berisha e cilëson “një artiste me fat që babai i saj e ka mbështetur për t’u bërë ajo që sot shqiptarët njohin dhe nderojnë të gjithë”.

Përtej këngës, Nexhmija donte fort edhe aktrimin, e cila ishte edhe një ndër aktoret e para të Teatrit të Prishtinës si dhe ka marrë pjesë në disa drama dhe filma në Kosovë. Interpretimi i këngëve të saj ishte një lloj përjetimi dhe aktrimi që i jepte publikut duke pasur sensin për aktrimin.

“Fakti që ajo vlerësohet për interpretimin e këngëve është pikërisht se ajo ka qenë një aktore. Kënga ka një histori për të treguar dhe ka rëndësi emocioni dhe shpirti që jep”, tha këngëtarja nga Kosova Edona Reshitaj.

/rtsh.al/