RTSH 24 Live

Muzikë

“Netët e klipit shqiptar” në RTSH - Semi Jaupaj & Emra Brah me “Fotografia” rrëmbejnë trofeun

13/05/2024

“Netët e klipit shqiptar” në RTSH - Semi Jaupaj & Emra Brah me “Fotografia” rrëmbejnë trofeun

Kënga “Fotografia” kënduar nga Semi Jaupaj dhe Emra Brah ka rrëmbyer trofeun e spektaklit ”Netët e klipit shqiptar”, i transmetuar në RTSH dhe i shoqëruar me shumë emocione e surpriza, por edhe me mesazhe nga artistët pjesëmarrës.

“Fotografia”, një produksion i FullMoon Production, fitoi kupat në të gjithë komponentët, duke filluar nga muzika, vokali, teksti, regjia, kostumografia, montazhi dhe orkestracioni.  

Semi Jaupaj gjatë marrjes së çmimit falënderoi publikun dhe organizatorët e eventit për çmimin.

Spektakli pati shumë ngjyra vokale e zhanresh muzikore, të cilët jo vetëm rrezatuan hitet më të mira të muzikës të të gjitha trevave shqiptare, nga këngëtarë të njohur tashmë në Ballkan e në skenat evropiane, por edhe promovoi zëra të rinj, të cilët merrnin pjesë për herë të parë në këtë ngjarje të muzikës shqiptare.

Emra të njohur të botës së muzikës si Endri dhe Stefi, Era Rusi, Eneda Tarifa, Stine, Gresa Gjoreca, Kastro Zizo, Ronela Hajati etj., në moderimin e elegant të Ermal Peçit, dhuruan emocione dhe performanca të jashtëzakonshme skenike dhe vokale.

Spektakli u zhvillua në Kalanë e Ulqinit, një skenografi natyrale historike, që nën dritat shumëngjyrëshe, e bëri mbrëmjen një natë të paharrueshme për Ulqinin.

Në këtë mbrëmje u ndanë edhe mjaft çmime, të cilat vlerësuan jo vetëm anën muzikore, por edhe performancat e artistëve në disa elementë duke filluar që nga kostumografia, regjia, orkestracioni, çmimi publikut etj.

Netët e klipit shqiptar i transmetuar nga RTSH solli një tjetër produksion televiziv mbarë kombëtar, si pjesë e kontributit për ta përhapur akoma më shumë krijimtarinë artistike të artistëve shqiptar që nga Shqipëria, Mali i ZI, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

/rtsh.al/