RTSH 24 Live

Aktualitet

“Dita e Mësuesit”, një homazh për fillimet e mësimdhënies shqipe

07/03/2025

“Dita e Mësuesit”, një homazh për fillimet e mësimdhënies shqipe

"Dita e Mësuesit", e cila festohet çdo vit më 7 mars, është një ngjarje e rëndësishme që përkujton fillimet e mësimdhënies shqipe dhe nderon përkushtimin e mësuesve të çdo brezi. Historia e kësaj dite ka origjinën në vitin 1887, kur në qytetin e Korçës u hap mësonjëtorja e parë shqipe, një ngjarje që do të mbetej e paharruar për popullin shqiptar.

Mësuesi dhe drejtori i parë i kësaj mësonjtorje ishte Pandeli Sotiri, një figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare. Hapja e kësaj shkolle ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve bëhej në mënyrë të fshehtë, brenda shtëpive, dhe gjithmonë nën kërcënimin e pushtetit osman. Në kushte të vështira, ku mësimi i gjuhës shqipe ishte i ndaluar me ligj, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet, duke u bërë një simbol i rezistencës kulturore dhe atdhetarizmit.

Përveç Pandeli Sotirit, figura të tjera të shquara të Rilindjes Kombëtare, si Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi dhe Thoma Avrami, ishin pjesë e kësaj lëvizjeje edukative dhe atdhetare, që synonte të shpërndante dijen dhe të kultivonte ndjenjën e identitetit kombëtar tek shqiptarët. Ata, me mundësitë që kishin, filluan të krijonin dhe shpërndanin tekstet e para shkollore, duke mundësuar që breza të tërë të edukoheshin në gjuhën shqipe dhe të formoheshin si pasues të ideve të larta të Rilindjes.

Kjo periudhë e vështirë për shqiptarët, që ndodhnin nën sundimin osman, tregoi se mësuesit e asaj kohe nuk ishin vetëm edukatorë, por gjithashtu ishin veprimtarë të guximshëm që e çuan përpara idealin për një komb të lirë e të pavarur. Ata i arsimuan nxënësit me frymën e patriotizmit dhe ndihmuan në krijimin e një brez të ri që do të bëhej pasues i ideologjisë së tyre dhe luftëtar i çështjes kombëtare.

Për këtë arsye, "Dita e Mësuesit" është një mundësi për të kujtuar ata heronj të heshtur që dhanë kontributin e tyre të pashtershëm për edukimin dhe zhvillimin e kombit shqiptar. Kjo ditë është një festë për të gjithë ata që kontribuojnë sot për formimin dhe përparimin e brezave të rinj, duke ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme.

Në të gjithë Shqipërinë, shkollat dhe universitetet festojnë këtë ditë me aktivitete që nderojnë mësuesit dhe ata që punojnë me pasion dhe përkushtim për të edukuar të rinjtë e vendit. Dita e "7 Marsit" është një simbol i rëndësisë së arsimit dhe të mësuesve në ndërtimin e një kombi të fuqishëm dhe të ditur.

/rtsh.al/