RTSH 24 Live

Aktualitet

“Dado më ka ndaluar çdo takim”, Veliaj: Kam kaluar në labirinthin ilegal të një vetingu 20-vjeçar

4 orë para

“Dado më ka ndaluar çdo takim”, Veliaj: Kam kaluar në labirinthin ilegal të një vetingu 20-vjeçar

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar ashpër ndaj akuzave që i janë drejtuar nga prokurori Ols Dado, duke e cilësuar si përndjekës të familjes së tij dhe se i ka ndaluar çdo takim dhe komunikim.

Veliaj ka hedhur akuza të rënda për veprimet e prokurorit special, duke i bërë thirrje që t'ia provojë akuzat e tij.

“Momentalisht, për ndjekësi i familjes sime për llogari të Sali Fundërrinës, Ols Dado, fytyrën e të cilit ju e patë vetëm një fraksion minute në replikat e turpshme në thertoren e Erion Banit, më ka ndaluar çdo takim e komunikim. Kam vetëm këto pusulla ditore me avokatët, deri ditën kur do mund t’ju përqafoj të gjithëve ju, e të merrem me zë e me figurë me këta burra të paburra. Disa më çojnë porosi që ta ul pak gjuhën, jo se prokurori ndërtues hakmarrës nuk e meriton, përkundrazi, por që “të mos çmendet më keq dhe ta punon më keq”. Jo se adashi kasap s’e meriton, por që “të mos të të qepet më keq se e ka ves të keq””, shkruan Veliaj.

Një nga akuzat, përmend Veliaj, është edhe blerja e një makine nga vjehrri i tij i ndjerë. Sipas Veliajt pretendohet se ai akuzohet se ka pastruar paratë që ka marrë nga bashkia përmes blerjes së kësaj makine.

“Vjehrri im i ndjerë, Arben Jakov Xoxa, kishte dje 6-vjetorin e ndarjes nga jeta. Por, në vend ta kujtonim buzagaz, Ols Violina, që njësoj si tutori i tij Sali Fundërrina, përdhunon të gjallë e të vdekur, më kërkon llogari për një makinë të cilën vjehrri e bleu para vdekjes, e që një nip i tij e paskësh shitur, pas vdekjes së tij, në portale të llojit “merr e jep” apo “shit e bli”! Pra, vjehrri, i cili ka 6 vjet që ka vdekur, ka gjetur një makinë okazion në Gjermani dhe e ka blerë. Më pas ia ka shitur të nipit. Ky e ka rishitur në Shqipëri. Blerësi i makinës nga nipi i vjehrrit e paska shitur gjithashtu më vonë. Dhe këtu, unë paskam pastruar paratë e korrupsionit në bashki!!! Ju betohem, nuk tallem! Është për të ulëritur, po është kështu, sipas Ols Dados”, shkruan ai.

Sipas Veliajt, ai është politikani e kanë kontrolluar më shumë pasurinë dhe aktivitetin e tij duke nisur që 20 vite më parë. Kryebashkiaku akuzon prokurorin Dado se ka lidhje me Sali Berishën dhe merr urdhra prej tij, për ta shpallur atë fajtor pa pasur asnjë provë të fortë.

“Jam sot i vetmi politikan që ka kaluar në labirinthin ilegal të një vetingu 20-vjeçar. Kam dalë nga labirinthi pa asnjë shkelje për të përligjur burgun pa gjyq, duke më ndërprerë me dorën e një maniaku dhe thikën e një kasapi kontratën me zgjedhësit. 20 vjet veting - asnjë biletë, asnjë hotel, asnjë apartament, madje asnjë drekë e darkë, që dikush të ketë paguar për mua në detyrë. Ndaj, ju që më doni e më besoni, kur shikoni në televizor lloj-lloj gjithollogësh, kujtohuni që këta “inkuizitorë nga divani” nuk do t’i bënin dot ballë as Vetingut të 24 orëve të fundit, le më të 20 viteve, siç m'u bë mua nga mosha 24 në 44 vjeç”, shkruan Veliaj.

/rtsh.al/