RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Me votën e 11 majit do të ngremë flamurin e Shqipërisë në BE, do të jetë ngritja e dytë e flamurit

4 orë para

Rama: Me votën e 11 majit do të ngremë flamurin e Shqipërisë në BE, do të jetë ngritja e dytë e flamurit

Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë një takim të mërkurën me asambletë socialiste të njësive Dajt, Zall-Herr, Zall-Bastar, Shëngjergj, Petrelë, Farkë, Baldushk, Kërrabë, Bërzhitë dhe Lagjja 12 të kryeqytetit, deklaroi se shqiptarët me votën e 11 majit do ta bëjnë Shqipërinë anëtare të BE-së.

Gjatë këtij takimi ku ishin të pranishëm edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si edhe deputetët socialistë, Xhemal Qefalia dhe Etjen Xhafaj, Rama u shpreh se rrethanat e krijuara kanë hapur një dritare mundësie që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë, që brenda dy viteve të ardhshme të mbyllë negociatat për anëtarësim, në bazë të planit që është bërë me Komisionin Evropian.

“Dy vitet e tjera të bëjmë ratifikimin anëtarësimit të Shqipërisë në 27 parlamentet e vendeve anëtare dhe me votën e 11 majit ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së. Kjo është mundësia historike që kemi sot, dhe për këtë arsye ju të gjithë, ne të gjithë dhe çdokush që është në një pozicion drejtues, dhe këtu kam parasysh kryetarët e organizatave, duhet të kuptojë që ky është një mision patriotik. Nuk është çështja hajde se do votojmë për PS-në, se ne jemi me PS, se për ata do votojmë, nuk është çështja se s’kemi për kë votojmë tjetër dhe për PS do votojmë”, tha Rama.

Sipas tij, çështja në këto zgjedhje nuk është vetëm te votimi për Partinë Socialiste, por te vota masive, si një mundësi për ta bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, “që deri dje dukej si një realitet pas vdekjes”.

“Në fillim fare, kur dolën të gjithë në rrugë me parullën: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, kujtuan se mund të rrëzohej regjimi i i kaluar dhe u bëmë Evropë. Rrugës pamë që, tjetër gjë është të shkosh në Evropë individualisht dhe tjetër gjë është të bëhesh Evropë si shtet; tjetër gjë është të marrësh të drejtën që të udhëtosh ku të duash si shqiptar, tjetër gjë është të jesh pjesë e Evropës si evropian, me të gjitha liritë dhe të drejtat; tjetër gjë është të shkosh në Evropë dhe të shohin nga lart poshtë, tjetër gjë është të jesh në Evropë dhe t’i shohësh drejtpërdrejtë në sy”, u shpreh Rama në këtë takim.

Kryeministri u ndal edhe te çështja e emigracionit dhe vështirësitë me të cilat janë përballuar bashkëkombësit shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në shtete të ndryshme të botës.

“Këtu ka njerëz që kanë qenë në emigracion si puna ime. E kanë parë mirë se cila ka qenë historia e tyre si shqiptarë në emigracion dhe në rastin më të suksesshëm prapë shqiptarët-shqiptarë. Këtu ka njerëz që kanë njerëzit e tyre në emigracion dhe e dinë se si është kjo punë. Ne e dimë shumë mirë se çdo të thotë të lindësh dhe të jetosh në një vend të poshtëruar me qindra vjet, të poshtëruar nga të huaj dhe nga të vetët. Ky është momenti për të ‘marrë hak’ për të gjitha dhe për t’u dhënë ne hakun atyre që sot, lavdi Zotit, janë akoma gjallë dhe ata që janë fëmijë sot”, theksoi Rama.

Sipas kreut të qeverisë, nuk mund të bëhet gjë më e madhe për fëmijët sot, sesa t’u jepet pasaporta evropiane.

“Nuk mund të bëjmë gjë më të mirë sot për të rinjtë dhe të rejat, sesa ta çojmë flamurin kombëtar në rresht me flamujt e tjerë dhe t’i japim mundësinë çdo vajze dhe djali shqiptar të jetë i barabartë me çdo francez, gjerman, anglez, polak me këdo qoftë. Nuk mund të bëjmë gjë më të madhe me PS se sa ta marrim atë emrin, Albania, dhe të shkojmë ta vëmë atje në tavolinë dhe të themi: “Ne jemi të barabartë si ju”. Prandaj historia e të parit nga lart poshtë i takon të kaluarës njëherë e përgjithmonë. Ky është momenti historik për ta bërë këtë, të gjitha të tjerat kalojnë. Llafet i merr era, ngjarjet harrohen, ato të përditshmet, nesër ka ngjarje të tjera, por kjo është historike”, theksoi Kryeministri.

Rama nënvizoi se momenti i ngritjes së flamurit të Shqipërisë në oborrin e familjes së madhe evropiane do të jetë “ngritja e dytë e flamurit”.

“Ne që jemi këtu, jemi ata që e kemi këtë mision. Jam i sigurt që të gjithë këtu kanë vërejtje dhe kritika për të bërë, kanë dhe të drejtë në vërejtjet dhe kritikat që mund të bëjnë. Por duke qenë drejtues të PS atje në qendrën tuaj të votimit, juve më mirë se çdokush tjetër, duhet t’ua njihni njerëzve aty rrotull të drejtën që kanë për të pasur ankesa, por nga ana tjetër duhet t’ua kujtoni të gjitha ato gjëra që janë bërë. Në 10 vite janë bërë më shumë gjëra se në gjithë vitet e marra së bashku”, pohoi Rama.

Rama: Çdokush që nuk kapet në vendin e krimit, meriton të ketë një gjyq të drejtë, të ndershëm, transparent

Rama, në vijim të fjalës së tij në takimin me 10 asambletë socialiste të kryeqytetit, tha se “lufta ndaj korrupsionit është vullnet i PS-së që është e vendosur ta mbështesë gjithë këtë proces”.

Rama u ndal edhe te kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke rikujtuar deklaratat e këtij të fundit për shkrirjen e SPAK-ut.

“Thoshin: “E bëri Amerika, e solli Amerika.” Po tani? Kanë ikur amerikanët, nuk janë më atje te Stacioni i Trenit. Nuk janë më! Për herë të parë që nga 91-shi s’ka më deklarata të Ambasadës Amerikane. Jo, bravo që u kap filani! Jo, ne po e ndjekim fistekun! Jo, nuk ka! Kush e mban tani SPAK-un dhe Gjykatën Speciale larg duarve të “bufit të kënetës”? E keni dëgjuar “bufin e kënetës” që tha: “Do ta shkrij, do ta shkrij SPAK-un, “noc rrokun” do të shkrijë në 11 maj”, tha Rama.

Sipas tij, të gjithë së bashku duhet të kuptohet se është marrë përsipër që të transformohet Shqipëria dhe pa transformimin e drejtësisë, nuk ka transformim.

“Në fund të ditës, rrugë, ura, shkolla, spitale e çfarë të doni ju, të tjera mund të bëhen dhe ne dimë t’i bëjmë më mirë, ku e ku se të tjerët. Por, nëse nuk ka barazi përpara ligjit dhe nëse nuk ka drejtësi të barabartë për të gjithë, nuk e kemi bërë detyrën karshi fëmijëve tanë. Reforma në Drejtësi mund të jetë diçka e kollajtë për t’u thënë, por për ta bërë duhet të marrësh përsipër kostot. Sepse, tjetër është të mbjellësh pemë dhe tjetër është të japësh drejtësi. Tjetër është që gabimisht, pemët t’i mbjellësh në korrik, se pemët mbillen në dimër, nuk mbillen në verë. Po ti gabon, i mbjell në korrik e ato thahen. Keq është, por pemët u thanë. Tjetër është të marrësh në qafë njerëz, se ti e jep drejtësinë gabim. Janë dy gjëra të ndryshme! Mirëpo, edhe pse kur këtë drejtësi që ti e jep gabim e vuan një familje si e jona, për dikë nga ne, që jep pse është dikush nga ne, por unë mendoj që çdo shqiptar që nuk kapet në vendin e krimit, mbasi ka vrarë, sapo ka vrarë, ose që nuk kapet në vendin e krimit me ‘presh në duar’, ose që nuk është shoqërisht i rrezikshëm, meriton të ketë një gjyq të drejtë, të ndershëm, transparent. Çdokush! Çdokush! Çdo shqiptar! Sepse, përndryshe kemi një drejtësi të pavarur, po nuk kemi një drejtësi të drejtë. Kemi një drejtësi që bën çfarë të dojë, por nuk kemi një drejtësi që bën gjithmonë atë që duhet”., tha Rama.

Kryeministri, në fjalën e tij iu referua sërish drejtësisë së re dhe faktit që në pesë vite punë të saj, t’i kërkosh drejtësisë së re të mos bëjë gabime është njësoj si t’i thuash një fëmije: “Fol dhe shkruaj tri gjuhë të huaja, pa mësuar asnjë abetare”.

“Ne jemi qeveria e Shqipërisë. Ka që në 1912 që Shqipëria e ka institucionin e qeverisë dhe prapëseprapë, nuk jemi në nivelin që t’i bëjmë gjërat siç i bën qeveria e Gjermanisë, apo e Francës, apo e Zvicrës, apo e Danimarkës, që kanë një traditë shumë më të madhe. Po kjo drejtësi e re, që ka 5 vjet, patjetër që t’i kërkosh të mos bëjë gabime është njësoj si t’i thuash një fëmije: “Fol dhe shkruaj 3 gjuhë të huaja pa mësuar asnjë abetare”. Nuk ndodh”, pohoi Rama.

/rtsh.al/