RTSH 24 Live

Politikë

Berisha me ish-të përndjekurit politikë: Shqipëria po përjeton diktaturën e saj të dytë

4 orë para

Berisha me ish-të përndjekurit politikë: Shqipëria po përjeton diktaturën e saj të dytë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi të mërkurën programin e qeverisjes 2025-2029 për ish-të përndjekurit politikë. Gjatë fjalës së tij Berisha deklaroi se sot “Shqipëria po përjeton diktaturën e saj të dytë”.

“E diskutojmë këtë program në një kohë kur shoqëria shqiptare, gjithë Shqipëria po përjeton një diktaturë të dytë. Po përjeton një diktaturë në të cilën një pasardhës direkt i një xhelati të diktaturës komuniste po përdor ndaj kundërshtarëve politikë dhe opozitës, mjetet më të egra që mund të përdorë për këtë kohë”, tha Berisha.

Sipas tij, Shqipëria është sot nën një regjim në të cilin “narkodiktatori, njëlloj si diktatori i viteve ’50, ka në duart e tij çdo pushtet në këtë vend”.

“Ka në dorë të tij të gjithë vendimmarrjen. Konsideron pasuritë e këtij vendi si pasuri të vetat dhe të klaneve të tij kriminale. Diktatori sot, nuk ka një Sigurim Shteti, siç kishte diktatori i dikurshëm. Por ka instrumente terrori të njëjta me ato që kishte diktatori i dikurshëm”, tha Berisha.

Sipas tij, regjimi komunist në Shqipëri në aspektin e dhunës dhe represionit, me të drejtë është krahasuar me regjimin nazist në kulmin e luftës.

“E thotë Karls Xhasper që, në Gjermani për të qenë opozitar duhet të hapje me duart e tua varrin, por ama e thotë gjatë lutës. Në Shqipëri, gjatë paqes po t’i bëje kundërshti regjimit duhet të hapje ose varrin, ose dyert e burgut dhe të kampit. Kjo është e vërteta. Megjithatë, i gjithë ky genocid, kjo dhunë preku rreth 20% të popullatës. Kurse, ky genocidi i padrinos, i narkotrafikantit, ky në 10 vjet ka larguar 45% të shqiptarëve. Spastrim etnik është ky. Genocid është. Pse ikin që të gjithë? Sepse nuk mund të jetojnë. Ikin që të gjithë nga varfëria dhe mjerimi”, tha Berisha.

Kreu i PD-së tha në fjalën e tij se Rama i mori zgjedhjet me banda e kriminelë, ndërsa në diktaturë dilnim me daulle.

“Në diktaturë votohej, siç e dini ju, por nga frika vota shkonte në 90 e sa përqind për diktatorin. Zgjedhjet ishin farsë. Edhe sot zgjedhjet ky i shndërroi në farsë. Zgjedhjet ky i mori me banda, me kriminelë, i mori me patronazhistët, terroristë të vërtetë elektoralë. Paguhen me paratë e taksapaguesve për të qenë shërbëtorë të qytetarëve, dhe bëhen skellvër të regjimit”, tha Berisha.

/rtsh.al/