Gjykata e Posaçme la të mërkurën në burg 5 të ndaluarit e stafit të Universitetit Bujqësor në Kamzë, kurse për pedagogët është zbutur masa e sigurisë nga “arrest shtëpiak” në “detyrim paraqitje”.
Sipas njoftimit për shtyp, në kuadër të këtij hetimi, janë identifikuar disa zyrtarë të Universitetit Bujqësor Tiranë, si dhe operatorë ekonomikë, që kanë bashkëpunuar për të manipuluar tendera, duke favorizuar kompani të caktuara, si dhe falsifikuar dokumente për të fryrë fondin limit me qëllim për të realizuar tendera të paracaktuar.
24 të proceduarit penalisht me urdhër të SPAK, janë zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, biznesmenë, por edhe persona të tjerë të përfshirë, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat e korrupsionit dhe të pabarazisë në tendera.
Në kuadër të këtij procedimi janë hetuar 9 procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) lekë.
Gjykata e Posaçme ka vendosur masat e sigurimit, duke përfshirë arrestin në burg dhe detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore për disa individë të përfshirë në këtë çështje.
Hetimet vazhdojnë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht edhe individë të tjerë që mund të jenë përfshirë në këto veprime të paligjshme.
Hetimi
Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, shtetasit; R.K., dhe I.K., me detyrë zëvendës rektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, B.B., me detyrë përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI ka kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin E.T., me detyrë Administrator i UBT-së.
Sipas hetimit, veprimet e kundërligjshme të personave të mësipërm kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi.
Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI kanë vijuar veprimet e kundërligjshme të autoritetit kontraktor në fazën e përgatitjes dhe gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, veprimet e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe specifikimeve teknike apo termave të referencës, të koordinuara në vazhdimësi me veprimet e kundërligjshme të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave.
/rtsh.al/