Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka përgënjeshtruar të mërkurën një lajm të bërë publik nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, se “administrata e Bashkisë së Tiranës po djeg dosje”.
“Lajmi i shpërndarë me dashakeqësi ditën e djeshme se Bashkia e Tiranës po zhduk prova dhe dokumente, është i pavërtetë. Ne në Bashkinë e Tiranës nuk çuditemi më nga asgjë, nga askush, që na akuzon pa prova, pa fakte, pa arsye tjetër përveç interesave politike. Që nga këndi i lodrave tek liqeni ku u akuzuam se do të ndërtonim kulla midis të tjerash, deri te zhvendosja e Shkollës Sami Frashëri që na la të gjithëve gojëhapur, kemi parë dhe kemi dëgjuar lloj- lloj çudirash, aq shumë dhe aq shpesh sa përgjigja ka qenë vetëm një: Vijojmë punën!”, deklaroi Ristani, e cila po ushtron detyrat e kryebashkiakut Erion Veliaj prej datës 11 shtator, kur ai u ndalua me urdhër të SPAK-ut.
Sipas kryetares së deleguar të Bashkisë së Tiranës, asnjëherë, në asnjë rast, Bashkia nuk harron se i detyrohet qytetarëve, edhe kur nivelet e shpifjes dhe të lajmeve tronditëse dhe krejtësisht të rreme përhapen nga kanale mediatike dhe arrijnë nivele të tilla përndotjeje.
“Bashkia e Tiranës akuzohet se djeg dhe zhduk kamionë me dokumente në mes te ditës në sytë e një zonje që është punësuar nga Partia Demokratike për t’u stacionuar në trotuarin përpara bashkisë. Natyrisht që kjo është një marrëzi e një niveli të denjë për shfaqje seriali, ku nuk mungon as aksioni as satira, por nuk mungon as trishtimi dhe ky i fundit është për ata qytetarë që nuk e kanë kusur për t’u helmuar me trillime, të ndryshëm nga ata që shpifja dhe gënjeshtra i ushqen përditë, por nuk i ngop kurrë. Për të dy kategoritë na vjen thellësisht keq”, deklaroi Ristani.
Sipas saj, për çdo rast, Bashkia e Tiranës siguron opinionin publik me përgjegjësi të plotë se çdo shkresë e jetës institucionale të saj, ruhet me rigorozitetin më të madh në arkivin tonë, i cili në përmbushje të ligjeve përkatëse është i vendosur në një objekt jashtë godinës qendrore dhe plotëson kushtet e ruajtjes dhe sigurimit sipas një protokolli të mirëpërcaktuar.
“Në përgjigje të kërcënimeve për denoncimin e radhës për këtë krim të ri imagjinar, ne u themi të gjithë kundërshtarëve dhe përndjekësve politikë e mediatikë të Bashkisë së Tiranës se jeni mëse të mirëseardhur për t’u bërë qesharakë. E të tilla probleme imagjinare paçim, pasi në një qytet me 1 milionë banorë, e më shumë miliona vizitorë, problemet me të cilat përballemi çdo ditë dhe hallet për t’u zgjidhur nuk janë aspak qesharake dhe ne i marrim me të gjithë seriozitetin e mundshëm. Ne nuk jemi trembur as nga letrat anonime, as nga ato me autorë dhe as nuk do të trembemi nga të tilla denoncime, për asnjë arsye tjetër përveç punës që na ka nderuar e na e mban kokën lart dhe shikimin në sy për çdo qytetar të këtij qyteti që nuk do të ndalet”, tha Ristani.
/rtsh.al/