RTSH 24 Live

Politikë

Deputeti Xhafaj propozon formulë të re për zgjedhjen e kandidaturave për Avokatin e Popullit

6 orë para

Deputeti Xhafaj propozon formulë të re për zgjedhjen e kandidaturave për Avokatin e Popullit

Deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe kryetar i  Komisionit Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj, ofroi të mërkurën një formulë të re për zgjedhjen e kandidaturave për Avokatin e Popullit. Në bazë të Kushtetutës, Avokati i Popullit zgjidhet me 3/5 të votave të deputetëve.

Xhafaj kërkoi që të shihet mundësia për të ndërtuar një proces më të drejtë dhe të paanshëm në zgjedhjen e kandidaturave për Avokat të Popullit, duke propozuar një trup mikse ku të jenë të përfaqësuar institucionet e pavarura, shoqëria civile dhe pushteti vendor.

“Avokatin e Popullit sot e zgjedh opozita. Që në nisje është një zgjedhje e paragjykuar politike dhe se është i vetmi që zgjidhet me 3/5 e votave në Kuvend.”, tha Xhafaj.

Ai, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, propozoi krijimin e një trupe mikse që do të propozonte kandidaturat për Avokatin e Popullit, e cila që do të përbëhej nga përfaqësues të institucioneve të pavarura, shoqërisë civile dhe pushtetit vendor.

Sipas tij, pas një procesi të jashtëm dhe transparent, kjo trupë do të mund të përzgjidhte disa kandidatë dhe më pas Kuvendi të bëjë zgjedhjen më të mirë për ta votuar.

“Një trup e formuar nga përfaqësues të qeverisjes së vendore dhe shoqëria civile. Përpara kësaj trupe të propozohen platformat dhe më pas pasi është bërë ky proces, Kuvendi të zgjedhë një nga tre kandidaturat e përzgjedhura. Kjo e fut Kuvendin në një zgjedhje të detyruar për kandidaturën më të mirë”, tha Xhafaj.

Sipas tij, kjo trupë mikse kombëtare të përbëhet nga 100-200 personalitete dhe në fund vendosin që tre të parët që marrin më shumë vota të shkojnë në Kuvend.

“Kjo trupë mikse do të ishte më e vështirë për t’u manipuluar politikisht, sepse përfshin aktorë të ndryshëm, të cilët nuk mund të dominohen lehtësisht nga interesat politike të një partie të vetme.”, theksoi Xhafaj.

/rtsh.al/