RTSH 24 Live

Politikë

Zjarri në QSUT, Koçiu: Po punohet që urgjenca të kthehet në funksion brenda muajit

15/04/2024

Zjarri në QSUT, Koçiu: Po punohet që urgjenca të kthehet në funksion brenda muajit

Pas dy muajsh jashtë funksionit për shkak të zjarrit të rënë në katin -1 të urgjencës në QSUT, kjo urgjencë do i rikthyet funksionit dhe normalitetit të saj brenda muajit. Kjo u bë e ditur nga Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu gjatë raportimit të saj në Komisionin e Shëndetësisë.

E pyetur nga opozita nëse po bëhet ndonjë hap konkret për rikthimin në punë të urgjencës së re në QSUT, ministrja Koçiu tha se po punohet që ajo të hapet brenda muajit.

Lidhur me hetimet që prokuroria ka nisur për zjarrin, ministrja sqaroi se deri më tani thuhet se zjarri ka rënë në katin e nëndheshëm në dhomën teknike dhe se nuk janë prekur pajisjet biomjekësore të spitalit.

 “Janë zhvilluar procedurat për ta rikthyer këtë shërbim në gjendje pune. Kompania ka nisur punën për rehabilitimin, punimet pritet të përfundojnë brenda muajit maj për ta rikthyer shërbimin. Sa i përket incidentit, pa dashur të normalizoj dhe të jap më shumë rendësi se dihet, është në hetim nga prokuroria, por nga të dhënat paraprake nga grupi i punës mund të konfirmoj se bëhet fjalë për një defekt teknik të ndodhur nga dhomat teknike ku ka patur djegie të kabujve elektrike, pa dëmtuar pajisjet biomjekësore të spitalit. Sot që flasim në QSUT vijon normalisht puna dhe i vetmi shërbim që është zhvendosur është urgjenca kardiake dhe ajo e sëmundjeve të brendshme”, tha Koçiu.

Zjarri në katin e nëndheshëm në urgjencën e re në QSUT ra më 11 shkurt, situatë që u bë edhe një nga arsyet e largimit të drejtoreshës së QSUT Albana Fico dhe emërimin e Alma Canit.

/rtsh.al/