Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në Samitin e Paktit të Qyteteve të Lira, me temë "Solidariteti Urban në kohë të trazuara: Zgjidhje të Qëndrueshme për Konfliktet dhe Kërcënimet Globale"
Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, mori pjesë sot në Samitin e Paktit të Qyteteve të Lira me temë "Solidariteti Urban në kohë të trazuara: Zgjidhje të Qëndrueshme për Konfliktet dhe Kërcënimet Globale", ku të pranishëm ishin kryebashkiakë të rëndësishëm nga e gjithë bota, të cilët diskutuan për sigurinë e qyteteve në kohë krizash, migracioni, qëndrueshmëria urbane, etj.
Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur urbanizimin e qytetit duke përshtatur një legjislacion bashkëkohor, ndërsa qytetet janë e po bëhen njëkohësisht sfidantët e parë, inkubatorët e rritjes ekonomike e sociale, përballuesit e sfidave të zhvillimit dhe terreni që favorizon e mbështet platformat e bashkëpunimit.
Sipas saj, "Qytetet janë e po bëhen njëkohësisht sfidantët e parë, inkubatorët e rritjes ekonomike e sociale, përballuesit e sfidave të zhvillimit dhe terreni që favorizon e mbështet platformat e bashkëpunimit. Qyteti është një instrument i dorës së parë në të cilin takohen e kryqëzohen kulturat, lulëzojnë idetë dhe konsolidohet qëndrueshmëria e zhvillimit.
“Qytetet veprojnë si mbështetës të zhvillimeve demokratike jo përmes urdhrave a dekreteve, por përmes vetëveprimit të tyre, investimeve në ekonomi, infrastrukturë, shërbimet publike jetike për popullsinë dhe përpjekjeve për të ndërtuar komunitete dhe institucione lokalë, udhëhequr nga vlerat e drejtësisë sociale dhe kohezionit social”.
Më tej ajo theksoi se, “Demokracia urbane është një nga thelbet e demokracisë bashkëkohore. Qytetet rindërtojnë demokracinë, sipas vizionit, jetës e nevojave të qytetarëve të tyre. Të cilët duhet të masin me minuta sesa shpejt shkojnë në një nga qendrat e qytetit policentrik, sa kohë ju duhet për të dërguar fëmijët në shkollë, për të vajtur në vendin e punës apo për të marrë shërbime të ndryshme e për të garantuar argëtim. Çfarë ishte dikur e mjaftueshme si fjetinë, nëser gjithmonë e më shumë duhet të jetë pushtet i të bukurës së dobishme që rrit e çmon cilësinë e jetës së qytetarit dhe e bën atë më të lehtë.”
Tranzicioni në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera që iu bashkuan valës së tretë të demokratizimit në fillim të viteve 1990, është një proces shumëplanësh.
Mes proceseve që shoqërojnë tranzicionin demokratik, shtoi Spiropali, do të rendisja vetëm dy prej tyre që janë sinergjikisht të lidhura dhe influencojnë zhvillimin e lirë të qyteteve: tranzicionin demografik dhe atë urban. Lëvizja jashtë vendit si një proces i pandërprerë i kërkimit të më shumē mundësive.
I dyti lidhet me lëvizjet e mëdha të popullsisë së zonave rurale drejt qyteteve, duke sjellë vlera të shtuara, por edhe probleme të mprehta për zhvillimin urban. Nga një vend ku mbizotëronte popullsia rurale, e cila në vitin 1990 përbënte rreth dy të tretat e popullsisë, pas tre dekadash kemi arritur në pikën ku tashmë është popullsia e qyteteve që përbën rreth dy të tretat e popullsisë së vendit. Por këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me numra. Urbanizimi ka ndihmuar dhe vijon të kontribuojë në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik, rritjen e produktivitetit, rritjen e mirëqenies, uljen e varfërisë dhe, nëpërmjet sfidave që paraqet, edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
“Ne jemi përpjekur që sfidave t’u përgjigjemi, në disa raste edhe t’u paraprijmë, me politika adekuate. Besoj se nuk e teproj nëse pohoj, se mes vendeve të rajonit, madje mes vendeve të Europës Lindore, të cilat tre dekada e gjysëm më parë hynë në rrugën e transformimeve demokratike, Shqipëria ka pasur ritmet më të larta e më të shpejta të procesit të urbanizimit. Nëse dy dekada më parë u rijetësua me ngjyra grija e zymtë e trashëguar nga komunizmi dhe nisi rilindja e kryeqytetit, sot një pjesë e qyteteve shqiptare po marrin tiparet karakteristike sipas këtij nocioni”, tha Spiropali.
Sakaq ajo theksoi se, “Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur procesin e urbanizimit duke hartuar një legjislacion bashkëkohor. Miratimi i ligjeve mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit, qeverisjen vendore, nxitjen e investimeve, turizmin, zhvillimin e qëndrueshëm, ruajtjen e mjedisit, zonat e mbrojtura, përmirësimin e infrastrukturës, zgjerimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, mbështetjen për hyrjen në tregje etj. janë pjesë e këtij kontributi”.
/rtsh.al/.