RTSH 24 Live

Aktualitet

Alma Cani do drejtojë QSUT, ministrja Koçiu: Prioritet i saj, zgjidhja e Urgjencës pas rënies së zjarrit

25/03/2024

Alma Cani do drejtojë QSUT, ministrja Koçiu: Prioritet i saj, zgjidhja e Urgjencës pas rënies së zjarrit

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçi ka prezantuar drejtoreshën e re të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Alma Cani, pas largimit nga ky post të Albana Ficos.

Para gazetarëve, ministrja Koçiu tha se ky zëvendësim u bë për një “impuls më të mirë”, ndërsa shtoi se fokusi kryesor i drejtoreshës së është zgjidhja e urgjencës së re të QSUT-së pas rënies së zjarrit.

E pyetur nëse kjo ishte arsyeja e largimit të Ficos, ministrja Koçiu nuk dha përgjigje, por shtoi se “kjo do të thotë që puna do të vazhdojë, nuk do të ndalet. Punët e mira do të vijojnë për Shëndetësinë”.

“Zëvendësi u bë për t’i dhënë një impuls më të madh QSUT, për të vazhduar ritmin dhe për të shtuar punët e mira në  këtë qendër shëndetësore. E rëndësishme është që sot këtu të flasim për punët e mira që do të vijojnë të behën këtu dhe një ritëm akoma më të shtuar për shërbimin ndaj qytetarëve. Drejtoresha e re që sapo është emëruar e QSUT-së Alma Cani, një doktoreshë që po ashtu ka një profesion të nderuar dhe ka vite që ushtron profesionin në Qendrën Rajonale Spitalore “Shefqet Ndroqi”. Zgjidhja e urgjencës së spitalit qendrorë pas rënies së zjarrit, është pika e parë në rendin e ditës në menaxhimin e punës dhe në agjendën e punës së drejtoreshës së re”, tha Kuçiu.

Lidhur me fondet shtesë që duhen për të rivënë në punë urgjencën e re të QSUT, ministrja tha se “po punohet për të bërë një verifikim”, por pa dhënë detaje se sa do të jetë kosto dhe buxheti nga i cili do të dalin.

Ministrja shtoi se shërbimi ndaj qytetarëe nuk ka munguar dhe se po punohet për urgjencën e dëmtuar nga zjarri.

“Sa më shpejtë do të vihet në funksion urgjenca e re, jemi duke punuar intensivisht, ashtu siç e theksova pika e parë në rendin e ditës në axhendën e punës së drejtoreshës së re do të jetë pikërisht rehabilitimi dhe kthimi në normalitet, por dua ta theksoj që nuk është ndalur në asnjë moment shërbimi ndaj qytetarëve, shërbimi po merret në të gjitha strukturat spitalore, duke treguar edhe njëherë që sa mirë kemi bërë që kemi investuar dhe kemi shërbime që ofrohen edhe në qendrën spitalore “Shefqet Ndroqi” edhe tek Trauma, gjithashtu edhe në urgjencën e QSUT-së puna po vijon normalisht. Në pjesën që është dëmtuar zjarri e po punojmë intensivisht”, tha ministrja.

Albana Fico u largua nga drejtimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, për arsye që ende nuk dihen. Ajo mbante detyrën e kreut të QSUT-së prej tre vitesh që nga dhjetori i 2021-shit, pas largimit nga drejtimi i këtij institucioni nga Enkelejd Joti.

Para kësaj detyre, Albana Fico ka mbajtur postin e kreut të ISHP-së.

/rtsh.al/