RTSH 24 Live

Botë

Zgjidhja me dy shtete, kryeministri spanjoll thotë se do të njohë pavarësinë e Palestinës në korrik

02/04/2024

Zgjidhja me dy shtete, kryeministri spanjoll thotë se do të njohë pavarësinë e Palestinës në korrik

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha gjatë vizitës që zhvilloi këtë të martë në Jordani se Spanja do të njohë shtetin e Palestinës deri në korrik. Duke theksuar debatet e vazhdueshme që po mbahen në Kombet e Bashkuara lidhur me luftën në Rripin e Gazës, Sanchez tha se pret që së shpejti edhe vende të tjera brenda Bashkimit Europian, përkatësisht Irlanda, Malta dhe Sllovenia të marrin të njëjtin pozicion.

Sanchez është shprehur edhe më herët se njohja e pavarësisë së shtetit palestinez do të ndodhte gjatë legjislaturës aktuale katërvjeçare, e cila filloi në 2023. Shtetet arabe dhe BE-ja kanë rënë dakord gjatë një takimi në Spanjë në nëntor se zgjidhja me dy shtete, krijimi i një shteti të pavarur palestinez, është zgjidhja e konfliktit palestinezo-izraelit.

Por, atëkohë Izraeli i akuzoi katër vendet për ofrimin e një “çmimi për terrorizmin” që do të zvogëlonte shanset për një zgjidhje të negociuar të konfliktit të Gazës. Që nga viti 1988, 139 nga 193 shtete anëtare të OKB-së e kanë njohur shtetësinë palestineze.

Gazetar: A. Mata

/RTSH/