RTSH 24 Live

Kosovë

Zgjedhje të parakohshme në Kosovë, Kurti bisedon me aleatët për kërkesën e opozitës

15/05/2024

Zgjedhje të parakohshme në Kosovë, Kurti bisedon me aleatët për kërkesën e opozitës

Kërkesa e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme ka bërë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të zhvillojë një takim me bashkë drejtuesit e partisë “Guxo” Donika Gërvalla e Faton Peci dhe kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari Lila. Këto parti, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 garuan në listën e Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuar nga Kurti.

Në takim u theksua se partitë opozitare duhet të unifikojnë kërkesën përballë shumicës në Kuvend. “Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat e saj për diskutimin e procesit të ri zgjedhor” - thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit. Për të njëjtën çështje, Kurti bisedoi më herët edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi.

Pas takimit, ai u shpreh se është i interesuar që të diskutojë me opozitën për caktimin e një date se kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja që sipas tij, do të ishte mirë të ishin në pranverën ose në vjeshtën e këtij viti. PDK kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa LDK kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj, që më pas të shpërndahet Kuvendi.

Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK, por Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual. Mandati i Qeverisë “Kurti” përfundon në fillim të vitit të ardhshëm, por partitë opozitare po kërkojnë zgjedhje të parakohshme, duke akuzuar Kurtin për keqqeverisje.

/rtsh.al/