Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Evropa nuk mund të garantojë sigurinë e Ukrainës pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke folur në një intervistë për prestigjozen ‘The Guardian’, Zelensky thekson se nëse Donald Trump tërheq mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, Evropa e vetme nuk do të jetë në gjendje të mbushë boshllëkun.
“Ka zëra që thonë se Evropa mund të ofrojë garanci sigurie pa amerikanët, dhe unë them gjithmonë jo”, tha presidenti ukrainas.
“Garancitë e sigurisë pa Amerikën nuk janë garanci reale të sigurisë”, shtoi ai.
Trump ka thënë se dëshiron t'i japë fund luftës në Ukrainë, por skeptikët kanë frikë se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA mund të përfshijë detyrimin e Ukrainës që të kapitullojë ndaj kërkesave maksimaliste të Vladimir Putinit.
Zelensky tha se ishte gati për të negociuar, por donte që Ukraina ta bënte këtë nga një "pozitë e forcës" dhe tha se do t'u ofronte kompanive amerikane kontrata fitimprurëse rindërtimi dhe koncesione investimesh në përpjekje për të tërhequr Trumpin.
“Ata që po na ndihmojnë për të shpëtuar Ukrainën do të [kanë mundësinë ta] rinovojnë atë, me bizneset e tyre së bashku me bizneset ukrainase. Për të gjitha këto ne jemi të gatshëm t'i flasim në detaje”, tha ai.
Zelensky do të udhëtojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih këtë javë, ku ai pret të takojë zëvendëspresidentin e SHBA, JD Vance, një nga më armiqtë ndaj Ukrainës në rrethin e brendshëm të Trump.
Në konferencën e vitit të kaluar, Vance, në atë kohë senator, refuzoi të takonte Zelenskyn dhe ai më parë ka thënë se nuk i intereson vërtet se çfarë ndodh me Ukrainën, në një mënyrë apo në tjetrën.
/rtsh.al/