Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kęstutis Budrys beson se 70% e informacionit publik në lidhje me planin e paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump është i pabazuar.
“Rreth 70% e informacionit në domenin publik në lidhje me fragmentet e supozuara ose synimet e planit nga të dyja palët, mund të konfirmoj, janë të pabaza,” tha ai.
Ai shpjegoi se informacioni i rrjedhur është shpesh një përpjekje për të testuar ide të ndryshme.
Budrys shtoi se vendet baltike i kishin këshilluar partnerët amerikanë gjatë negociatave që të “mbanin gjithçka në tryezë” dhe të mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
“Kam pasur përshtypjen se administrata e SHBA-së nuk do të paraqesë një plan të finalizuar dhe do të thotë, ‘Ja, lexojeni planin dhe tani do ta negociojmë atë.’ Nuk funksionojnë kështu negociatat. Duhet të mbani disa letra në mëngë dhe pozicionet negociuese duhet të formulohen qartë”, tha ai.
Gjithashtu, ai vuri në dukje se Rusia ende nuk ka treguar ndonjë vullnet për të negociuar. Budrys shtoi se nëse nuk arrihet marrëveshja, SHBA mund të zgjerojë ndjeshëm sanksionet e saj anti-ruse dhe të sigurojë mbështetje të paprecedentë ushtarake për Ukrainën.
“Dëshira për të ndalur luftimet dhe për të siguruar paqen është sigurisht reale, sepse shoh sa përpjekje dhe sa njerëz janë të përfshirë në këtë në Uashington”, shtoi ai.
/rtsh.al/