Ligjvënësit demokratë po kritikojnë ato që i quajtën përpjekje “të skajshme” të administratës Trump për t’i dhënë një formë tjetër qeverisë amerikane, duke u zotuar se do t’i kundërshtojnë këto ndryshime, megjithëse kanë fuqi të kufizuar politike në dy dhomat e Kongresit amerikan.
Udhëheqësi i ligjvënësve demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries tha të hënën se ligjvënësit republikanë nuk po respektonin zotimin e bërë gjatë fushatës për të mos zbatuar Projektin 2025, një plan konservator që synon t’i ndryshojë formën qeverisë amerikane.
“Këtë vit, republikanët kanë kaluar tërë kohën duke zbatuar pjesët më të skajshme të Projektit 2025 dhe nuk kanë bërë asgjë për të ulur çmimet e larta të produkteve të përditshme”, deklaroi ligjvënësi Jeffries.
Ligjvënësit republikanë thonë se Presidenti Trump po ushtron kompetenca të gjëra presidenciale për të vlerësuar agjencitë shtetërore. Presidenti Trump po e bën një gjë të tillë përmes miliarderit Elon Musk, të cilin e ka vendosur në krye të Departamentit për Efikasitetin e Qeverisë, qëllimi i së cilit është të zvogëlojë shpenzimet federale.
Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer u dërgoi një letër kolegëve demokratët që të kenë një strategji me katër qasje për të kundërshtuar veprimet e administratës së Presidentit Trump: mbikëqyrje, padi, legjislacion, komunikim dhe mobilizim.
Senatori Schumer tha gjithashtu se demokratët do të vazhdojnë të mbështesin proceset gjyqësore për të ndërprerë ngrirjen e fondeve dhe për të parandaluar shkarkimin e punonjësve federalë.
Nënpresidenti JD Vance i kritikoi vendimet gjyqësore për këto raste. Ai shkroi në platformën X, se “nëse një gjykatës përpiqet t’i tregojë një gjenerali se si duhet ta kryejë një operacion ushtarak, do të ishte e jashtëligjshme. Nëse një gjykatës përpiqet ta drejtojë prokurorin publik se si të ushtrojë detyrën e tij, do të ishte po ashtu e jashtëligjshme. Gjykatësve nuk u lejohet të kontrollojnë fuqinë legjitime të ekzekutivit”, sipas tij, shkruan VOA.
Senatori demokrat Chris Murphy u përgjigj: “për ata që besojnë se jemi në mes të një krize kushtetuese, kjo është dëshmia. Trump dhe Vance po përgatisin terrenin për të injoruar gjykatat – vijën e e fundit të mbrojtjes të demokracisë kundër pushtetit ekzekutiv të pambikëqyrur”, shkroi ai në platformën X.
Senatorët demokratë po ashtu njoftuan për krijimin e një platforme të re për sinjalizuesit nga radhët e punonjësve të administratës publike në nivel federal dhe shërbyesit publikë që duan të denoncojnë shkeljet.
Përmes një deklarate ata thanë se “ndërkohë që senatorët republikanë refuzojnë të përmbushin përgjegjësinë e tyre kushtetuese për të kontrolluar pushtetin ekzekutiv, senatorët demokratë mbesin të përkushtuar në angazhimin tonë për të zbuluar të vërtetën. Jemi të përgatitur për të bërë kërkesa, për të ruajtur dokumentet publike, të mbajmë seanca dëgjimore dhe të marrim veprime ligjore ku të jetë e nevojshme”.
Senatori Schumer tha se ligjvënësit demokratë do ta përkrahnin ligjin për buxhetin, por u bëri thirrje republikanëve ta negociojnë atë me frymë dy-partiake. Ligji për buxhetin afatshkurt të qeverisë amerikane skadon me 14 mars. Pas kësaj date, ligji për buxhetin duhet të mbështetet nga 60 vota në Senat. Republikanët aktualisht kanë shumicën në Senat me 53 vende.
/rtsh.al/