RTSH 24 Live

Botë

Zelensky dhe Vance takohen pasi zv.presidenti amerikan kritikoi Evropën në Mynih

15 orë para

Zelensky dhe Vance takohen pasi zv.presidenti amerikan kritikoi Evropën në Mynih

Presidenti Volodymr Zelensky dhe zëvendëspresidenti i SHBA, JD Vance po diskutojnë në këto momente për luftën në Ukrainë në një takim në ambientet e Konferencës së Sigurisë në Mynih. Takimi vjen pasi Vance kritikoi liderët evropianë për fjalën e lirë dhe demokracinë në samit, duke u thënë udhëheqësve botërorë "ka një sherif të ri në qytet", duke iu referuar Presidentit të SHBA Donald Trump.

Më herët Zelensky tha se ai nuk sheh një "plan të gatshëm të SHBA" për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Trump kishte thënë se zyrtarët amerikanë, rusë dhe ukrainas do të takohen në Mynih - por Moska tha se ata nuk do të dërgojnë një delegacion në samit. Kanë kaluar pothuajse tre vjet që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.

Nënpresidenti amerikan JD Vance, pas takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se ishte zhvilluar një "bisedë e frytshme", me "detaje për t'u ndjekur" në kohën e duhur.

SHBA-të duan të arrijnë një "paqe të qëndrueshme" midis Rusisë dhe Ukrainës, u tha Vance gazetarëve, por ai nuk detajoi se si do të ndodhë kjo.

Ai tha se bisedimet do të vazhdojë dhe do të "çohen përpara", por nuk dha detaje të mëtejshme.

Vance tha se ka një ekip të lartë të përfshirë në negociata dhe se "është e rëndësishme që ne të mblidhemi" për të pasur diskutime - duke shtuar se kjo është gjithçka që ai do të thotë tani për të ruajtur "maksimizimin" e negociatave.

Zelensky, duke folur për takimin me Vance, tha se ata kanë pasur një "bisedë të mirë" dhe se ky "është takimi ynë i parë, jo i fundit".

“Në të vërtetë ajo që duhet të bëjmë është që të flasim më shumë, të punojmë më shumë dhe të përgatisim planin, si të ndalojmë Putinin dhe të përfundojmë luftën”, tha ai, pasi më parë kishte thënë se do të zhvillonte bisedime me presidentin rus Vladimir Putin vetëm pasi të ishte rënë dakord për një plan paqeje me udhëheqësit e SHBA-së dhe evropianët.

Ai shtoi se Ukraina e dëshiron shumë paqen, por ka nevojë për garanci reale sigurie, duke thënë se është "mirënjohës" për mbështetjen amerikane.

/rtsh.al/