Këtë të shtunë Hamasi liron tre pengje të tjerë izraelitë, duke shënuar raundin e 6-të të shkëmbimit të pengjeve me të burgosurit palestinezë.
Hamasi publikoi të premten emrat e tre pengjeve që liron sot në këmbim të të burgosurve palestinezë, pas disa ditësh pasiguri për të ardhmen e armëpushimit, ndërsa Izraeli pritet të lirojë qindra të burgosur palestinezë.
Pengjet që lirohen këtë të shtunë janë izraelito-amerikani Sagui Dekel-Chen, izraelito-rusi Sasha Trupanov dhe izraelito-argjentinasi Yair Horn, tha zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Ata janë mbajtur nga militantët e armatosur pakestinezeë që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit 2023 ndaj Izraelit që shkaktoi edhe luftën në Gaza.
Izraeli tha se do të rifillojë bombardimet nëse të tre nuk lirohen në kohë. Paralajmërimi erdhi pasi Hamasi tha se do të shtyj lirimin e pengjeve në përgjigje të shkeljeve të pretenduara të armëpushimit nga Izraeli.
Presidenti Trump tha se armëpushimi duhet të anulohet nëse Hamasi nuk liron të gjithë pengjet e mbajtur në Gaza deri në mesditë të së shtunës.
Ndërkohë grupi militant palestinez njoftoi se pret që bisedimet për fazën e dytë të armëpushimit në Gaza të nisin në fillim të javës së ardhshme.
/rtsh.al/