RTSH 24 Live

Politikë

Xhafaj reagon për Veliaj: Në dosjen e tij ka shkelje procedure, nuk është zyrtar i korruptuar

8 orë para

Xhafaj reagon për Veliaj: Në dosjen e tij ka shkelje procedure, nuk është zyrtar i korruptuar

Për kryetarin e Komisionit të Posaçëm parlamentar Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj procedura hetimore që ka ndjekur SPAK ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj përmban shkelje. Në një analizë që e shpërndan me publikun në rrjetin social facebook, Xhafaj ngre pikëpyetje për mënyrën se si ka filluar dhe si është proceduar kjo dosje. Sipas tij, Veliaj nuk është zyrtar i Korruptuar pasi Prokuroria po heton jetën e tij dhe jo përgjegjësia para ligjit. 

Duke lexuar vendimin gjyqësor që ka pranuar e certifikuar kërkesën e prokurorit për masë sigurie “arrest me burg” bindem edhe më shumë për një proces jo të drejtë në aspektin procedurial. Druaj se jemi para rastit ku investigohet e hetohet personi dhe jeta e tij, për të gjetur fakte penale në ngarkim të tij dhe jo përpara asaj çfarë ligji lejon e kërkon, pra që hetohet vepra penale konkrete dhe prej saj shkohet te përgjegjësia e personit konkret, të cilin gjithsesi të fajshëm apo jo e përcakton vendimmarrja gjyqësore e të dy shkallëve dhe jo hetuesi e prokurori”, shkruan Xhafaj.

Xhafaj më tej u ndal tek puna e Komisionit të Posaçëm dhe garantoi se qëllimi mbetet që institucionet  të japin drejtësi me standarte.

E kam deklaruar edhe më herët, se unë nuk bëj pjesë tek ata që e shohin arrestin me burg si alternativën kryesore në masat e sigurisë apo që e shohin përdorimin e instrumentave të drejtësisë së re për statistika penale apo populizëm mediatik. Ne që bëmë gjithçka për ta çliruar drejtësinë nga kthetrat e politikës, kemi gjithë të drejtën e Zotit, kredon morale, politike e shoqërore që të kërkojmë nga këto institucione të japin drejtësi me standarde të panegociueshme demokratike, njëjtë si vendet e Evropës së Bashkuar ku Shqipëria do të jetë më herët sesa vonë”, vijon Xhafaj.

Në përfundim Xhafaj i shpreh mbështetjen Veliajt në betejën e tij ligjore e politike dhe i kërkon që në kushtet aktuale të izolimit, të bëjë transparencën e plotë për akuzat e ngritura ndaj tij.

RTSH