Evropa nuk do të ketë një vend në tryezë për bisedimet e paqes në Ukrainë, tha të shtunën i dërguari i Donald Trump për Ukrainën, pasi Uashingtoni dërgoi një pyetësor në kryeqytetet evropiane për të pyetur se çfarë mund të kontribuojnë në garancitë e sigurisë për Kievin.
Trump tronditi aleatët evropianë këtë javë duke telefonuar presidentin rus, Vladimir Putin pa u konsultuar më parë me ta ose me Kievin dhe duke deklaruar një fillim të menjëhershëm të bisedimeve të paqes.
Zyrtarët e administratës Trump kanë bërë gjithashtu të qartë ditët e fundit se presin që aleatët evropianë në NATO të marrin përgjegjësinë kryesore për rajonin pasi SHBA-ja tani ka prioritete të tjera, si siguria kufitare dhe kundërvënia ndaj Kinës.
Lëvizjet e SHBA-së kanë ngjallur frikën se evropianët mund të shkëputen nga një marrëveshje paqeje që do të ndikonte gjithashtu në sigurinë e tyre, veçanërisht nëse ajo shihet si shumë e favorshme për Rusinë.
Kellogg tha në një konferencë globale të sigurisë në Mynih se SHBA do të vepronte si ndërmjetëse në bisedime, me Ukrainën dhe Rusinë, si dy protagonistë.
I pyetur në lidhje me perspektivat e qëndrimit të evropianëve në tryezë, Kellogg tha: "Unë jam (nga) një shkollë e realizmit. Mendoj se kjo nuk do të ndodhë."
Në një ngjarje të mëvonshme në konferencë, Kellogg u përpoq të qetësonte evropianët duke deklaruar se kjo nuk do të thotë se "interesat e tyre nuk do të merren parasysh”.
Por liderët evropianë thanë se nuk do të pranonin të përjashtoheshin nga bisedimet.
"Nuk ka asnjë mënyrë në të cilën ne mund të kemi diskutime ose negociata për Ukrainën, të ardhmen e Ukrainës ose strukturën e sigurisë evropiane, pa evropianët," u tha gazetarëve në Mynih presidenti i Finlandës, Alexander Stubb.
"Por kjo do të thotë se Evropa duhet të bashkojë veprimet e saj. Evropa duhet të flasë më pak dhe të bëjë më shumë."
Stubb tha se pyetësori që SHBA u dërgoi evropianëve "do t'i detyrojë evropianët të mendojnë".
Një diplomat evropian tha se dokumenti i SHBA përfshin gjashtë pyetje me nga një të veçantë për vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
"Amerikanët po i afrohen kryeqyteteve evropiane dhe po pyesin se sa ushtarë janë gati të dërgojnë," tha një diplomat.
Franca po diskuton me aleatët e saj mundësinë e mbajtjes së një takimi jozyrtar midis liderëve evropianë për Ukrainën për të diskutuar këto çështje, megjithëse asgjë nuk është vendosur në këtë fazë, tha të shtunën një zyrtar i presidencës franceze.
Ministri i Jashtëm polka, Radoslaw Sikorski tha se ajo do të zhvillohet të hënën. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u kërkoi gjithashtu evropianëve që të bashkohen.
"Dhe miqve të mi evropianë, unë do t'u thoja, futuni në debat, jo duke u ankuar se mund të jeni, po ose jo, në tryezë, por duke dalë me propozime, ide konkrete, duke rritur shpenzimet (mbrojtjen)", tha ai në Mynih.
Kellogg i tha konferencës se bisedimet që synojnë t'i japin fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës mund të fokusohen në koncesionet territoriale nga Rusia dhe të synojnë të ardhurat e Putinit nga nafta.
“Rusia është me të vërtetë një shtet i naftës”, tha ai, duke shtuar se fuqitë perëndimore duhet të bëjnë më shumë në lidhje me zbatimin efektiv të sanksioneve ndaj Rusisë.
Ushtria EVROPIANE?
Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy bëri thirrje për krijimin e një ushtrie evropiane, duke thënë se kontinenti nuk mund të jetë më i sigurt për mbrojtjen nga Shtetet e Bashkuara dhe do të marrë respekt nga Uashingtoni vetëm me një ushtri të fortë.
Zelenskiy tha se Kievi nuk do të pranonte kurrë një marrëveshje të bërë pas shpine dhe parashikoi se Putini do të përpiqej që Trump të merrte pjesë në paradën e përvjetorit të fitores së Luftës së Dytë Botërore të Moskës më 9 maj "jo si një udhëheqës i respektuar, por si një mbështetje në performancën e tij".
Në një fjalim plot pasion, Zelenskiy tha se një fjalim i nënpresidentit të SHBA JD Vance në konferencën e një dite më parë kishte bërë të qartë se marrëdhënia midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara po ndryshonte.
"Le të jemi të sinqertë - tani nuk mund të përjashtojmë mundësinë që Amerika mund t'i thotë jo Evropës për çështjet që e kërcënojnë atë," tha Zelenskiy, duke folur ndërsa lufta e shkaktuar nga pushtimi rus i vendit të tij do të hyjë në vitin e saj të katërt.
Ai tha se një ushtri evropiane - e cila do të përfshinte Ukrainën - ishte e nevojshme në mënyrë që e ardhmja e kontinentit "të varet vetëm nga evropianët - dhe vendimet për evropianët merren në Evropë".
Kombet evropiane bashkëpunojnë ushtarakisht kryesisht brenda NATO-s, por qeveritë deri më tani kanë hedhur poshtë thirrjet e ndryshme për krijimin e një ushtrie të vetme evropiane gjatë viteve, duke argumentuar se mbrojtja është një çështje e sovranitetit kombëtar.
Një zyrtar i lartë nga një shtet anëtar lindor i Bashkimit Evropian iu përgjigj me skepticizëm propozimit të Zelenskiy për një ushtri evropiane, duke thënë: "Ekziston një forcë ushtarake evropiane e quajtur NATO".
Në një shenjë se ka ende njëfarë shkalle bashkëpunimi ndërkombëtar në epokën e re të Trump, ministrat e jashtëm të G7 - përfshirë SHBA - ranë dakord të shtunën për një deklaratë në të cilën ata u zotuan të vazhdojnë të punojnë së bashku për të arritur një marrëveshje paqeje të qëndrueshme për Ukrainën me garanci të forta sigurie. Reuters
/rtsh.al/