RTSH 24 Live

Europë

Lufta në Ukrainë- Franca mban sot samitin e dytë të liderëve të BE, Kanadaja e ftuar

19/02/2025

Lufta në Ukrainë- Franca mban sot samitin e dytë të liderëve të BE, Kanadaja e ftuar

Franca ka thërritur këtë të mërkurë (19 shkurt) samitin e dytë të liderëve të BE-së, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për sigurinë evropiane.

Udhëheqësit evropianë do të takohen në Paris për samitin e Ukrainës dhe të sigurisë, ndërsa e pranishme në këtë samit do të jetë dhe Kanadaja, e cila nuk ishte pjesë e samitit të parë.

Presidenti francez Emmanuel Macron priti të hënën (17 shkurt) një samit jozyrtar të kombeve të zgjedhura, duke përfshirë Poloninë, Britaninë, Gjermaninë dhe Italinë, si dhe përfaqësues nga aleanca e NATO-s dhe ekzekutivi i BE-së.

Samiti urgjent që u mbajt në Paris kishte për qëllim të vlerësonte garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën dhe të diskutonte se si Evropa mund të lëvizë më shpejt për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Ndërsa samiti i sotëm, vjen një ditë pas bisedimeve të zhvilluara mes SHBA dhe Rusisë në Arabinë Saudite për luftën në Ukrainë.

Diskutimet shënuan kontaktin e parë të nivelit të lartë midis dy vendeve që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Pas takimit, të dy vendet ranë dakord të caktojnë "skuadra të nivelit të lartë" për të punuar për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, i cili do të shënojë përvjetorin e tij të tretë të shtunën.

Shtetet evropiane, të cilat nuk u përfshinë në bisedimet e së martës, janë të shqetësuara se administrata e Presidentit Donald Trump mund të përpiqet të arrijë një marrëveshje me Moskën mbi Ukrainën që mund të minojë integritetin territorial të Kievit.

Ata gjithashtu kanë frikë se çdo marrëveshje që favorizon shumë Rusinë mund të inkurajojë presidentin rus Vladimir Putin, duke rrezikuar më tej sigurinë evropiane.

Shqetësimet u rritën pasi i dërguari i SHBA për konfliktin Rusi-Ukrainë, Keith Kellogg, tha të shtunën se vendet evropiane, përveç dy vendeve ndërluftuese, ka shumë të ngjarë të konsultohen, por përfundimisht do të përjashtohen nga bisedimet.

/rtsh.al/