RTSH 24 Live

Kosovë

Shefi i NATO-s: Stabiliteti në Kosovë, në interes të të gjithëve në aleancë

23 orë para

Shefi i NATO-s: Stabiliteti në Kosovë, në interes të të gjithëve në aleancë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shpreson se nuk do të ketë “vendime dramatike” sa i përket politikës amerikane në Kosovë dhe rajon.

Më lejoni të jem krejtësisht i qartë. Nga krejt çka unë po kuptoj nga sistemi amerikan, është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave ose adaptime të vogla që mund të ndodhin gjithmonë. Sllovakët, Holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike,” ka thënë Rutte, duke u përgjigjur në pyetjen nëse i frikësohet ndryshimeve të politikës amerikane, sidomos sa i përket trupave të SHBA-së që janë në kuadër të KFOR-it.

Këto cilësime sekretari i përgjithshëm i aleancës i nxori gjatë një bashkëbisedimi me studentë në Universitetin Comenius në Bratisllavë të Sllovakisë.

Njëri nga udhëheqësit e organizatës më të madhe ushtarake në botë ka nënvizuar rëndësinë që vëmendja e perëndimit të jetë e fokusuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse kjo është në interes të gjithë NATO-s.

Sigurisht, ne e dimë se ka disa çështje që duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të kemi fokusin tek marrëdhëniet në rajon. Ne po përpiqemi të ruajmë stabilitetin. Dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse është një rajon që ka një histori të jostabilitetit. Fatmirësisht, tani për shumë vite, kemi një stabilitet të qëndrueshëm në atë pjesë të Evropës, në Ballkanin Perëndimor, dhe ne duhet ta ruajmë atë,” ka vlerësuar Mark Rutte.

Duke iu referuar zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, njeriu i parë i NATO-s ka thënë se ndonëse nuk ka përfunduar numërimi i votave, duket se do të nevojitet të formohet një qeveri koalicioni pasi sipas tij është pjesë e procesit normal politik e demokratik.

/rtsh.al/